Turqia i dha dritën e shumëpritur jeshile hyrjen së Suedisë dhe Finlandës në NATO-s, duke tërhequr veton me të cilën mbante të bllokuara aspiratat e dy vendeve nordike.
Tre shtetet firmosën një memorandum në Madrid, në ditën e parë të samitit të aleancës veriatlantike. Dokumenti u firmos në prani të sekretarit të përgjithshëm Jens Stoltenberg, presidentit turk rexhep Tajip Erdogan, presidentit finlandez Sauli Niinisto dhe kryeministres suedeze Margaret Andersson, në përfundimin e një mbledhjeje që zgjati pothuajse katër orë. Turqia mori atë që deshi nga ky takim: bashkëpunimin e plotë të Helsinkit dhe Stokholmit kundër PKK-së kurde dhe aleatëve të saj.
“Politika e portave të hapura të NATO-s është një sukses; treguam se dimë t’i zgjidhim problemet përmes negociatave. Me hyrjen e Suedisë dhe Finlandës në aleancë, do të jemi akoma edhe më të sigurtë”, tha Jens Stoltenberg, shef i NATO-s.
Pjesë e memorandumit do të jenë edhe marrëveshja mbi ekstradimet, e cila do të jetë në përputhje me standardet europiane. Suedia dhe Finlanda aplikuan zyrtarisht muajin që shkoi për t’u bashkuar me NATO-n, një vendim ky të cilin e kishin anashkaluar prej dekadash, por që tani u nxit pikërisht për shkak të agresionit rus në Ukrainë. Por Turqia anëtare e NATO-s, u shpreh kundër këtij aplikimi duke kritikuar të dy vendet për atë që e cilësoi si tolerancë e madje dhe mbështetje të tyre ndaj grupeve terroriste. Stoltenberg vazhdimisht është përpjekur ta fashisë zemëratën e Ankarasë me deklaratat se shqetësimet e saj në lidhje me luftën kundër terrorizmit, janë legjitime.
Top Channel