Një vit më parë, zoti Joe Biden hyri në takimin e tij të parë të Grupit të Shtatë vendeve më të industralizuara të botës si president, dhe me besim u tha aleatëve më të afërt të Shteteve të Bashkuara se “Amerika është rikthyer”. Tani, shumë prej tyre janë të shqetësuar se Amerika po rrëshqet.
Ndërsa Presidenti Biden takohet këtë javë në alpet bavareze me krerët e ekonomive më të mëdha demokratike të G-7-ës, ai sjell me vete barrën e problemeve të brendshme politike, incidenteve tronditëse me armë dhe vendimin e Gjykatës së Lartë për të përmbysur rastin Roe kundër Wade që në vitin 1973 e kishte bërë abortin të drejtë kushtetuese.
Takimi i Presidentit Biden në vitin 2021 ishte parë si një përpjekje për ta bërë të qartë distancimin e tij nga ideologjia “Amerika e para” e paraardhësit të tij, Presidentit Donald Trump.
Përqafimi i multilateralizmit dhe partneriteteve globale dhe rikthimi i besimit në aleancat e Amerikës, në aleancën vetëmbrojtjese të NATO-s, ishin në krye të axhendës së tij. Kryeministri britanik Boris Johnson tha në atë kohë për presidentin Biden, “Ne jemi plotësisht në të njëjtën linjë”.
Fitorja në zgjedhjet presidenciale e zotit Biden u vlerësua nga shumica e aleatëve si një rifillim i angazhimit amerikan, një rikthim tek normat e respektuara për shumë dekada, me parashikueshmërinë dhe stabilitetin në krye të përparësive.
Një vit më vonë, pritja për Presidentin Biden mbetet e ngrohtë dhe theksi publik mbi udhëheqjen globale të Amerikës mbetet optimist, veçanërisht në kontekstin e Presidentit Biden, duke bashkuar botën kundër sulmit rus ndaj Ukrainës. Por gjithnjë e më shumë, kjo pikëpamje po shihet në sfondin e problemeve të mundshme në të ardhmen.
“Mendoj se evropianët pa dyshim e shikojnë situatën e brendshme në Shtetet e Bashkuara me një shkallë frike”, thotë Max Bergmann, drejtor i Programit të Evropës në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
Vizita e zotit Biden në Evropë vjen ndërsa një komision i Kongresit po heton tentativën për përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 nga ish-presidenti Trump dhe aleatët e tij, partia e të cilit pritet të shënojë fitore të rëndësishme në zgjedhjet nëntorit për Kongresin amerikan. Dhuna me armë, një problem unik amerikan në krahasim me vendet e tjera të zhvilluara, është dënuar nga aleatët. Dhe vendimi i Gjykatës së Lartë që i lejon shtetet të ndalojnë abortin ndezi një raund të ri denoncimesh dhe shqetësimesh nga disa prej partnerëve më të afërt të Shteteve të Bashkuara.
“Aborti është një e drejtë themelore për të gjitha gratë”, shkroi në rrjetin Twitter presidenti francez Emmanuel Macron. “Duhet të mbrohet. Dëshiroj të shpreh solidaritetin tim me gratë, liritë e të cilave po cenohen nga Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara”, shtoi ai.
Presidenti Biden u tha gazetarëve të dielën në mbrëmje se tema e vendimit për abortin nuk ishte ngritur në bisedat e tij me udhëheqësit botërorë.
“Nuk ka lidhje me Ukrainën apo ndonjë nga çështjet e diskutuara”, tha ai, duke u përgjigjur kategorikisht “jo” kur u pyet nëse kjo çështje ishte ngritur nga pjesëmarrësit e tjerë në takimin e G-7-ës.
Megjithatë, kur vendimi i Gjykatës së Lartë doli të premten në mëngjes, Presidenti Biden ishte udhëheqësi i tretë i G-7-së që reagoi, duke pasuar kryeministrat e Kanadasë dhe Britanisë. Justin Trudeau dhe Boris Johnson e dënuan me shpejtësi vendimin e Gjykatës së Lartë, përpara se Presidenti Biden të bënte komentet e tij të para për këtë çështje në Shtëpinë e Bardhë.
“Më duhet t’ju them se mendoj se është një hap i madh prapa”, tha zoti Johnson të premten. “Unë kam besuar gjithmonë në të drejtën e një gruaje për të zgjedhur dhe i qëndroj asaj pikëpamjeje dhe kjo është arsyeja pse Britania e Madhe ka ligj për këtë”, shtoi ai.
Kryeministri Trudeau e quajti vendimin “të tmerrshëm”, duke shtuar: “Asnjë qeveri, politikan apo burrë nuk duhet t’i thotë një gruaje se çfarë mund dhe nuk mund të bëjë me trupin e saj”. Ai tha se nuk mund të “imagjinonte frikën dhe zemërimin” që gratë në Shtetet e Bashkuara mund të përjetojnë pas vendimit.
Pas vrasjes me armë të 19 nxënësve dhe dy mësueseve në një shkollë fillore në Uvalde të Teksasit, ngushëllimet erdhën nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, edhe pse forcat e armatosura të vendit janë përballuar me një numër shumë herë më të madhe të viktimave nga agresioni rus.
“Populli i Ukrainës ndan dhimbjen e të afërmve dhe miqve të viktimave dhe të gjithë amerikanëve”, shkroi ai në rrjetin Twitter në atë kohë.
Zoti Bergmann tha se ndërsa udhëheqësit evropianë mund të kenë qëndrime të ndryshme mbi meritat e vendimit Roe kundër Wade, ata kanë shqetësim të gjerë lidhur me ndikimin që mund të ketë vendimi.
“Ata panë sulmin e 6 janarit dhe janë shumë të shqetësuar lidhur me stabilitetin e brendshëm të Amerikës. Kemi të bëjmë me një vendim … që ka potencialin për të trazuar dhe ndezur politikën amerikane dhe thelluar edhe më tej përçarjet, dhe kjo është tepër shqetësuese”, thotë ai.
Evropianët, shtoi ai, i shikojnë mosmarrëveshjet e brendshme amerikane përmes lenteve të sigurisë së tyre.
“Shqetësimi themelor është se çfarë do të thotë kjo për Shtetet e Bashkuara si garantuese e sigurisë së tyre”, tha ai. “A do të jetë Amerika mjaft e qëndrueshme për t’i rezistuar kësaj?”
E pyetur se si vendimi për abortin do të ndikonte tek pozita e Amerikës në botë, zëdhënësja Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre e quajti vendimin ekstrem që rrezikonte martesat e së njëjtës gjini dhe qasjen ndaj kontraceptivëve për çiftet e martuara. Por ajo tha se qëndrimi i presidentit Biden në sferën globale ishte i pandryshuar.
“Tashmë kemi dëgjuar nga shumë udhëheqës” u tha ajo gazetarëve në bordin e avionit presidencial “Air Force One” gjatë udhëtimit për në Gjermani. “Disa prej tyre kanë bërë deklarata shumë të zëshme, lidhur me vendimin”, duke thënë se ata “po ofronin mbështetje për popullin amerikan”.
“Unë nuk mendoj se kjo ndalon punën që presidenti do të bëjë ose dëshiron të bëjë ose kërkon të bëjë me udhëheqësit”, shtoi zëdhënësja Jean-Pierre.
Nga ana e tij, zoti Johnson mohoi se ai kishte ndonjë frikë specifike lidhur me të ardhmen e Amerikës në përgjithësi.
“Duke ndjekur zhvillimet nga jashtë, ishte shumë e çuditshme,” i tha ai të dielën për rrjetin CNN kur u pyet mbi ngjarjet e 6 janarit 2021, lidhur me përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale. “Unë nuk besoj se demokracia amerikane është nën kërcënim serioz, por shumë larg tij. Unë vazhdoj të besoj se Amerika është garantuesi më i madh global i demokracisë dhe lirisë”.
Shumica e vendeve të G-7 priren të jenë më liberale se SHBA-të për një sërë çështjesh, dhe vënia në pikëpyetje e aleancave të vjetra nga zoti Trump tronditi krerët e shteteve dhe qeveritë.
Mesazhi i Presidentit Biden për rikthimin e Amerikës në skenën botërore është përballur me pikëpyetje të reja nga qytetarë të vendeve aleate.
“Mendoj se Amerika është e përçarë”, tha 59-vjeçarja Gabriele Jocher, një punonjëse sociale e pavarur nga qyteti Garmisch në Gjermani, vetëm disa kilometra larg vendit të takimit. “Mendoj se ka forca shumë të mira dhe njerëz që me të vërtetë duan të ecin përpara, por ka edhe të tjerë që duan të ecin shumë prapa. Kjo thjesht më bën të mendoj, globalisht, se çfarë po ndodh atje që po përplasen dy forca.”
59-vjeçarja Christina Maurer, nga qyteti piktoresk, shtoi: “Gjithçka që zoti Biden dëshiron të ndryshojë tani, nuk e di. Pastaj do të vijë një tjetër, emri i tij do të jetë Trump ose diçka e ngjashme dhe ai do të shkatërrojë gjithçka përsëri”./VOA
Top Channel