Majlinda Bregu, tashmë jashtë Partisë Demokratike, në një intervistë për “Top Story”, pranon se i ka kërkuar Lulzim Bashës të tërhiqej nga drejtimi i partisë, pas disfatës që pësoi në zgjedhje.

“Unë kam qenë një nga njerëzit që për shumë kohë, ia kam thënë edhe atij kam kërkuar që të largohej. Mbase edhe kjo nuk ka qenë edhe shumë e saktë, sepse nganjëherë ne bëjmë një gabim që I masim të gjithë të tjerët me kutin tonë dhe mendojmë që kjo situatë ka vetëm një zgjidhje, ik kur humbet, pjesa tjetër nuk kam qenë pjesë dhe nuk kam pasur ndonjë emocion. Dhe nuk besoj se këtu problem ka qenë fati i Lulzim Bashës, në momentin kur PD mbërriti në një shpartallim siç mbërriti pas zgjedhjeve, pak njerëz mendonin se çfarë do bënte Lulzim Basha, pra donin të ikte, po pak njerëz mendonin si do ndihej ai. Dramat më të mëdha janë të atyre që për vite me radhë iu larguan pushtetit dhe misioni i një partie politike është të vijë në pushtet jo të rrijë gjithë kohën duke forcuar e blinduar dyert e veta”, thotë  sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.

Sokol Balla: Nuk e ke falur fare Bashën ?

Majlinda Bregu: Jo jo fare, shiko e ndjen që nuk kam fare…

Sokol Balla: Po cinizmin ta dalloj…

Majlinda Bregu: Po nuk është as çështje cinizmi Sokol. Unë e kam takuar Lulzim Bashën vjet. Asnjë nuk e di ose pak vetë e dinë, rastësisht në një udhëtim në Lubjanë të dy bashkë. Është ajo historia, një gjë që e merr përsipër o bëje ose ik. Je po aq i nderuar edhe nëse nuk e bën dot. Nuk pse t’i bësh të tjerët të marrin një kosto kaq të madhe dhe s’ke pse të jetosh nën frikën dhe petkun se nuk je ti por dikush tjetër po të lëviz fijet kjo është. A ka sot në PD që shpresojnë se nesër do i lëvizen fijet po aq sa Lulzim Bashës? Edhe kjo mund të ndodhë. Por problem kryesor sot është a do të vijë PD në zgjedhjet e ardhshme që nuk janë shumë larg do të ketë mundësi për të thyer ciklin e një partie që sot është në pushtet që ka qeverinë e pushtetin lokal?

Top Channel