Provime “jo vetëm me shkrim”/ Testimi i maturantëve, mësuesit: Këtë vit pyetjet ishin më të thjeshta

27/06/2022 19:44

“Pranë sofrës i pangrënë, pranë dijes i panxënë”… gjendja e dobët  arsimore!

Për mësuesen 75-vjeçare Violeta Hoxhën, provimet e maturës e treguan edhe më qartë se sa shumë ka ndryshuar arsimi sot me kohën kur ajo për 35 vite ishte pjesë e sistemit arsimor. Kjo metodë testimi nuk është plotësisht e saktë, sipas saj, e që është nevoja e rikthimit të pyetjeve me gojë.

“Me shkrim kopjohet, ndërsa me gojë do e flas siç e di vetë ai. Është dhe puna e pamjaftueshme e nxënësve nga boshllëqet që kanë pasur gjatë vitit, duhet punë më e madhe si me nxënësit si me mësuesit . një front i përbashkët”, thotë Violeta Hoxha.

“Nga statistikat e QSHA-së ndesh shumë raste që nxënësit kanë diferenca me 2-3 nota midis notës vjetore dhe asaj të marr në provim. Kjo duhet ti faturohet ndoshta edhe menaxhimit të provimit”, shprehet Mirela Berisha.

Pavarësisht ankesave të maturantëve për hartimin e testit me zgjedhje, arsimtarët mendojnë se provimet këtë vit ishin më të lehta se maturat e shkuara, kjo është reflektuar edhe në nota;

“Testet kanë qenë më të thjeshta, nuk kanë pasur ushtrime të një niveli më të lartë, për arsyen e thjeshtë që kanë zhvilluar mësim në kushte të pazakonta. Por tregu I punës bëhet më kompetitiv, ndërkohë që ne përpiqemi ti bëjmë gjërat më të thjeshta, në drejtim të kërkesës së llogarisë, të disiplinës së punës”, thotë Mirela Berisha.

Mungesa e disiplinës dhe dëshirës për të studiuar, është zëvendësuar nga një modë e rrezikshme. Dikur ishin nxënësit qe kishin frike mësuesit. Sot përmes rrjeteve sociale, nuk kanë munguar rastet kur nxënësit kane kërcënuar mësuesit. Faji i tyre i vetëm, se kishin hartuar teza provimesh që quhen të forta.

“E kanë gjuhën e urrejtjes. Situatat kanë degraduar në Shqipëri. Fillo që nga parlamenti që fyejnë e i përcjellin dhe në shkolla. Por duhet të ulin kokën edhe nxënësit të punojnë më shumë”, thotë Violeta Hoxha.

 

 

 

 

Top Channel