Dosjet e UFO-ve tregojnë për mjetet fluturuese ndriçuese që lëvizin me 1000km/orë (fotot)

27/06/2022 15:47

Dokumente të deklasifikuara nga periudha e Luftës së Ftohtë tregojnë së fundmi sesi pilotët dhe ushtarët rusë kishin dëshmuar drita në qiell ose mjete fluturuese, si asgjë e parë më herët në tokë.

Zbulimet tregojnë se takimet me objekte të panjohura në qiell nuk ishin pikasur vetëm në SHBA por gjithashtu dhe në Bashkimin Sovjetik.

Dosjet e publikuara së fundmi nga KGB flasin për dhjetra raportime nga ushtarë e pilotë, të objekteve me forma të mëdha e të çuditshme, drita të fuqishme dhe shpejtësi të paarritura nga njeriu, shkruan britanikja The Sun.

Mes raportimeve është ai i një koloneli rus që fliste për një objekt që ndryshonte formë teksa lëshonte një shufër të fortë drite drejt tokës.

Ndërsa një pilot gjuajtësi MiG-21 ishte habitur nga një objekt misterioz që kryente lëvizje të paarritura më parë nga makineritë e shpikura nga njeriu.

Dmitry Rogozin, kreu i agjencisë ruse Roscosmos – konfirmonte se Moska gjithashtu po hetonte mbi UFO-t.

“The Sun” shkruante se dokumentet i ishin dhënë gazetës nga UAP Media UK, grupi mediatik që kërkon diskutim dhe transparencë për UFO-t.

Përfaqësuesi i grupit Graeme Rendall, tha: “Raportimet e përkthyera nuk japin një përgjigje të qartë për UFOt, por përsërisin sugjerimet se objektet e paidentifikuara fluturuese nuk janë vetëm një fenomen amerikan.

“Mjete misterioze fluturuese janë parë kudo në botë, edhe në regjime që fshehin ose jo të vërtetat, mes te cilave është dhe çështja e UFO-ve.”

Major Gjeneral Popovich është një nga 20 kozmonautët e parë dhe ka komanduar anijen hapësinore Vostok 4 prej vitit 1962.

Ai dhe gruaja e tij Marina Popovich, gjithashtu e interesuar për fenomenin e UFO-ve kanë qenë pilotë avionësh supersonikë. Marina e cila njihet gjithashtu si “Madame MiG” bashkë me të shoqin kanë kërkuar transparencë deri në vdekjen e tyre, në 2009 për Pavel dhe 2017 për Marina.

Mes raportimeve përfshihet ai i një dëshmitari në Burkhala, Magadan, i cili pa një “objekt të kuq të shndritshëm” që u shfaq në qiell për 30 minuta në tetor 1989.

Dëshmitari që punonte në kozmodromin e Baikonur llogariste se objekti lëvizte me shpejtësi rreth 1000 km/orë.

Në një tjetër episod  lejtnant Valeri Voloshin përshkruante një objekt fluturues në formë “disku me një gjysmë sfere sipër ” më 28 korrik 1989.

Sovjetikët urdhëruan avionët të ngriheshin për të kontrolluar por pilotët raportohej se nuk i afroheshin dot objekteve.

Rendall shtonte më tej: “Megjithse saktësia apo vërtetësia e këtyre raportimeve të KGB nuk është e verifikueshme ato janë një burim i vlefshëm informacioni për sekretet e tjera të Luftës së Ftohtë”.

FOTO GALERI
2/5
Dosjet e publikuara së fundmi nga KGB flasin për dhjetra raportime nga ushtarë e pilotë të objekteve me forma të mëdha e të çuditshme

Top Channel