Rama përsërit deklaratat për BE-në në Austri: Ndihem i keqardhur për Bashkimin Evropian! Nuk është i shëndetshëm, ka nevojë për Ballkanin

25/06/2022 15:02

Kryeministrit të vendit Edi Rama, duket se nuk i ka dalë e “keqja” në lidhje me samitin e BE-së, pasi përsëriti të njëjtat ankesa edhe ditën e sotme në një vizitë në Austri.

Ai u shpreh se Ballkani ka nevojë për BE-në, aq sa ka nevojë BE-ja për të dhe shtoi se ndihet i keqardhur për Bashkimin Evropian, pasi  në një situatë kaq të nxehtë në Europë, mes të një lufte, Bullgaria merr “peng” dy vende të NATO-s.

“Ky është vendi i përsosur për të diskutuar, disa prej shkallëve shkojnë lart e disa zbresin poshtë, ne jemi në mes. Disa njerëz e kuptojnë mirë, disa të tjerë kanë nevojë për shtysë që ta kuptojnë, sot BE-ja ka nevojë për Ballkanin po aq sa Ballkani ka nevojë për ne. Nga ana tjetër duhet të them se nuk është ide e mirë që të ftosh dikë nga Ballkani dhe ta lësh të ulet sepse mund të kërkojë vërtetë shumë kohë që të dëgjosh fjalën e tij. Ndaj urime të gjithë atyre që patën idenë që unë të qëndroj në këmbë në mënyrë që trupi im t’i ndalë vrullin gojës sime. 

Më lini t’ju them se nuk ka vend më të mirë se Austria Për të marrë veten nga depresioni i Brukselit. Nuk mund të falenderoj dot sa duhet kancelarin, për mikpritjen e tij të shkëlqyer, është ulur Krah meje siç ulet në Këshill. Shqipëria dhe Austria nisin me shkronjën A, nuk është thjeshtë rastësi. Faleminderit Karl Zoti të bekoftë.

Pas këtyre fjalëve të bukura kam frikë se do të bëhem i hidhur se më duhet të flas për BE-në, mund të them se ndihem shumë i keqardhur për të. Shumë njerëz i komentuan ato çfarë thashë në konferencë për shtyp si një zemëratë të madhe, por nuk ka të bëje me ne por me BE-në. Pasi qëndruam atje katër orë të tëra, ndjemë pafuqinë përballë një situate surreale, ku Bullgaria merrte peng dy vende të NATO-s, në mes të një lufte të nxehtë në kufij të Evropës. Bullgaria e hoqi veton dje, por kjo gjë nuk lidhet vetem me Bullgarinë, ka diçka në të thellë që është humbur e që duhet rikuperuar shpejt. Dëgjojmë që Putin është i sëmurë, mund të jetë e vërtetë e mund të mos jetë, por nuk duket që BE-ja është e shëndetshme. Dëgjova nga një mik frances që thoshte se Putin ka bërë të kundërtën e asaj çfarë kërkonte duke bashkuar Europën e NATO-n, por nuk duket sikur dimri i ardhshëm do të jetë I lehtë, s’duhet të marrim të mirëqenë asgjë.

Sa më shumë njerëzit kanë aq me pak janë të prirur të heqin dorë. Shpresoj që ukrainasit të mos kenë shumë pritshmëri për atë çfarë morën ën BE, është thjesht një ilaç kundër depresionit.”- tha Rama.

Top Channel