Shpërthim në veri të Kosovës, i vihet eksploziv transformatorit në zonat ku banojnë serbë

24/06/2022 19:49

Dy ditë pas arritjes së marrëveshjes për energjinë elektrike në veri të vendit, është sulmuar me mjet shpërthyes objekti i kompanisë serbe “Elektro – Kosmet” në Mitrovicë të Veriut.

Policia e Kosovës u njoftua se trafoja elektrike që ishte në afërsi të elektro – distribucionit mori flakë mbrëmjen e së enjtes.

Dyshimet e para të Policisë së Kosovës ishin se zjarri u nis nga tensioni elektrik, megjithatë pas këqyrjes së vendit të ngjarjes u konstatua se objekti u sulmua me mjet shpërthyes.

Sipas policisë nuk bëhet fjalë për të lënduar, por vetëm dëme materiale. Autoritetet ende nuk kanë asnjë të dyshuar për incidentin. Megjithatë, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka fajësuar strukturat paralele në Veri për sulmin.

Ndërkaq, të premten, Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë, pas dy vjetësh, ka licencuar kompaninë “ElektroSever” për operim në këtë pjesë. ZRrE e lëshoi licencën për “ElektroSever” për periudhën pesë vjeçare, duke shtuar se nuk do të rregullojë çmimet me të cilat do të operojë kompania në katër komunat veriore.

Me udhërrëfyesin e nënshkruar në Bruksel, “ElektroSever” brenda shtatë ditëve prej licencimit, duhet t’i ofrojë të dhëna për konsumatorët. Pas 10 ditëve do nënshkruaj kontratë bashkëpunimi me KEDS dhe KOSTT në mënyrë që të operojë sipas ligjeve në Kosovë dhe brenda 30 ditësh që nga nënshkrimi i marrëveshjes me kompanitë kosovare, “ElektroSever”-it, do t’i jepet nën kontroll nënstacioni i Vallaçit në mënyrë që të fillojë punën.

 

Top Channel