Pas arsenalit të armëve të gjetura në zonën e Liqenit të Thatë këtë të martë fshihet i njëjti grup kriminal që posedonte edhe punishten e armëve që u gjet në kodër Mëzez një javë më parë.
Burime të sigurta i thanë Top Channel se 27-vjeçari i arrestuar Eno Papa Beqiri nuk kishte njohje me dy të arrestuarit më parë Dorian Kalo dhe Ervis Bakalli.
Lidhja mes tyre bëhej nga drejtuesi i grupit që dyshohet se është një i kërkuar ndërkombëtar për vrasje.
Në banesë e magazinë të marrë me qera pak kohë më parë nga Eno Papa, policia sekuestroi 2 snajpera, 4 kallashnikov, 2 armë automatike, 4 pistoleta me silenciator, tre kallëpe tritoli.
Një prej snajperave dhe pistoletat ishin prodhim i viteve të fundit, mjaft të kushtueshme që dyshohet se kishin ardhur nga jashtë vendit në mënyrë ilegale me qëllim tregtimin e tyre në grupet kriminale në vend.
Nga zbërthimi i telefonave celularë të 27-vjeçarit Eno Papa por edhe të dy të arrestuarve më herët Elvis Bakalli e Dorian Kalo hetuesit presin të identifikojnë të tjerë persona të përfshirë në aktivitetin e tregtimit dhe modifikimit të armëve të zjarrit.
Top Channel