Tre socialistë “kundër” qeverisë! Braçe, Shalsi, Denaj, kritikë ndaj kompensimit të kompanive që marrin tendera

21/06/2022 19:34

Komisioni i Ekonomisë ka miratuar mes debatesh të ashpra miratoi aktin normativ për kompensimin e kompanive që kryejnë punë publike për rritjen e çmimeve nga 5% deri në 30% të vlerës së materialeve.

Akuzat se ndërtuesit do të abuzojnë me nismën që qeveria po ndërmerr duke i subvencionuar kanë ardhur si nga opozita ashtu edhe nga vetë mazhoranca.

Deputeti socialist Erion Brace tha se shtrenjtimi më shumë se nga lufta, po vjen nga spekulimet që bëhen në tregun vendas.

“Ky akt legalizon rritjen e çmimeve. Sa kohë legalizon rritjen e çmimeve ka shumë rëndësi edhe kohë dhe sa është kjo rritje çmimesh që ne do të legalizojmë. E kemi pranuar botërisht, unë vazhdoj ta them që ne në shumicën dërrmuese edhe të lëndëve të para jo vetëm që kemi përqendrim , por kemi edhe abuzim. Tregu po, ka brenda dinamikën e luftës ka brenda edhe dinamikën e spekulimit.” – thaErion Braçe, deputet PS

 “E rëndësishme është që nga ky proces të mos përfitojnë kompanitë abuzive që shfrytëzojnë momentin që në pretekstin e rritjes së çmimeve justifikojnë vonesat”- tha  Eduart Shalsi

“Pagesat bëhen kundrejt situacioneve konkrete, do shikohen çmimi dhe fatura e blerjes së materialit, merret çmimi në ditën që ai ka blerë materialin. Por gjithmonë nuk kompensohet më shumë se 30%.”- tha Mimoza Dhëmbi, drejtoreshë e buxhetit

Deputetët kanë kërkuar më shumë transparencë se cilat do të janë projektet  që do të subvencionohen dhe sa do t’i kushtojë kjo nismë arkës së shtetit, për të cilën nuk u dha asnjë shifër.

“Janë bërë kalkulime sepse kjo është kosto dhe do rëndojë buxhetin e shtetit. Që do të thotë sa do të jetë vlera?” -tha Eduard Shalsi, kryetar komisioni

“Ç’peshë të asaj kontrate zë ky produkt, duhet bërë llogaria deri në fund. Shqetësimi që kam është pika e referencës së rritjes së çmimeve dhe masa që zë në vlerë e investimit në faturën që do paguajnë. Nuk kanë pse paguajnë taksapaguesit shqiptarë koston e kompanive që mezi mobilizohen apo që kanë marrë nga 10-15-20 punë. Kompani që kanë fituar kontratën me 90% të fondit limit e lart nuk kam pse i paguaj unë.”- tha Erion Braçe, deputet PS

“Qytetarët dhe komisioni kanë nevojë të dinë më shumë se kush janë përfituesit dhe hapësira 5 deri në 30% të jetë brenda objektivit që ka qeveria për mbështjet dhe jo për spekulim.” – tha Anila Denaj, deputete PS

“Bëhet fjalë për kontrata që nga 1 janari 2020, por kjo nuk do të thotë që të marrë kompensim për punë të kryera më përpara. Vetëm vlerësimet e punimeve nga dita kur hyn në fuqi akti normativ e deri në fund të vitit.” -tha Mimoza Dhëmbi, drejtoreshë e buxhetit

Sipas aktit normativ, nga kompensimi për materialet e ndërtimit do të përfitojnë operatorët që po zbatojnë projektet infrastrukturore si dhe ato të rindërtimit.

 

Top Channel