Restorantet në Mallorca vendosin ‘kodin e veshjes’ për të ndaluar ‘turizmin anti-social të dehjes’ (fotot)

21/06/2022 17:14

Lëvizja nga 11 stabilimente të njohura turistike vjen pas problemeve prej grupeve (kryesisht britanikë) që sipas tyre “kërkojnë vetëm të dehen në rrugë”.

Restorantët kryesore të ishullit turistik spanjoll Mallorca kanë vendosur kodin e veshjes për të hyrë brenda me qëllim të ulin atë që ata quajnë “një valë sjelljesh anti-shoqërore të turistëve të huaj” kohët e fundit.

Shumica e restoranteve në Playa de Palma, nuk do të lejojë me klientë pa bluzë, me kanatierë apo me bluza sportive, tha përfaqësuesi Juan Miguel Ferrer i shoqatës së restoranteve Palma Beach.

“Ne po përpiqemi të komunikojmë me turistët duke i nxitur ata të mbajnë veshje të përshtatshme për të hyrë në stabilimentet tona. Nuk mund të vihet më me rroba plazhi apo menjëherë pasi ke qenë duke pirë në rrugë”, tha ai.

Lëvizja vjen pas vërshimit të ditëve të fundit të turistëve britanikë që nxiten nga konsumi i alkoolit dhe jo nga gastronomia lokale apo bukuritë e ishullit.

“Prej 10 majit po vuajmë ardhjen e grupeve të mëdha të turistëve të rinj që duan vetëm të dehen në rrugë, në shëtitoret e plazhit apo edhe në rërë.”

Zyrtari e përshkruante më tej situatën si më keq se para kohës së pandemisë duke e quajtur “një realitet i pafat”.

“Ata mbërrijnë në hotele në 10 të mëngjesit ose në 2 të natës, dhe nuk janë në gjendje për të ecur. Janë komplet të dehur aq sa dhe shokët e tyre i lënë të shtrirë në trotuar”, thotë Ferrer.

Në vitin 2020 një ligj që tentonte të reduktonte konsumin e alkoolit në rajon nuk solli shumë ndryshime, prandaj shoqata i ka bërë thirrje policisë të ndalojë britanikët problematikë për t’i gjobitur për sjellje anti-sociale.

“Kemi nevojë për mbështetje nga zyrtarët pasi pronarët e lokaleve apo komuniteti nuk mund ta ndalojë”, shton zyrtari.

Ankesa e biznesit vjen disa ditë pasi politikanët rajonalë të rajoneve turistike si Ibiza e Menorca mbështetën iniciativën e reduktimit gradual të numrit të krevatëve që ofrohen në zonë. Ishujt spanjollë të Baleareve ofrojnë aktualisht 625,000 vende fjetjeje për turistët, duke pranuar rreth një turist për çdo dy rezidentë.

Qeveria ka propozuar mekanizmin e blerjes së vendeve në hotelet e lira me një ose dy yje që pritet të reduktojnë turistët me rreth 40,000.

Propozimi ka hasur gjithsesi në kundërshtime të biznesit më të vogël për sektorin që përbën 45% të GDP-se së rajonit dhe punëson rreth 200,000 njerëz.

“Kjo është absurde,” thotë Juan Manuel Ordinas, pronar i dy hoteleve relativisht të lira në Mallorca. “Kemi një qeveri klasiste që nuk do turistët britanikë që kanë punë të thjeshta dhe vijnë për pushime në Mallorca. Duan vetëm ata me shumë para.”

Argumenti i tij përputhej me supozimin se turizmi i luksit përjashton ata që konsumojnë më pak burime vendore.

“Ata vërtet mund të mos shpenzojnë shumë por dhe as nuk konsumojnë shumë burime, ata nuk shkojnë në hotele pesë yje, me dhjetë vaska xhakuzi apo fusha golfi e bufe”.

“Ata shkojnë në një hotel të vogël me një dush për dy ose tre dhoma, përdorin autobuzin ose biçikleta dhe vijnë me fluturime low-cost.”

FOTO GALERI
2/4
Shumica e restoranteve në Playa de Palma, nuk do të lejojë me klientë pa bluzë, me kanatierë apo me bluza sportive

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA