Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell me anë të një statusi ne mediat sociale bëri të ditur se kishte biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç për t’i përgëzuar ata pasi delegacionet e dy vendeve arritën më 21 qershor dakordësinë për udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energjinë në Bruksel.
“Bisedova sot me Aleksander Vuçiç dhe Albin Kurtin për t’i përgëzuar ata mbi arritjen e marrëveshjes për udhërrëfyesin e energjisë. Ky është një hap i madh dhe i rëndësishëm përpara për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe do të ketë rezultate konkrete për të gjithë qytetarët.” shkruan Borrell.
Spoke to @avucic and @albinkurti to congratulate them on reaching an agreement on the energy roadmap today.
This is a big & important step forward in the EU-facilitated Dialogue and will deliver concrete results for all citizens. We look forward to continue working on next steps https://t.co/5r2jS0SX8n
— Josep Borrell Fontelles (@JosepBorrellF) June 21, 2022
Në Bruksel sot, në mes të palëve nga Kosova dhe Serbia, është arritur dakordësia mbi udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energjinë nga 2013.
Më herët, Bashkimi Evropian ka thënë se me marrëveshjen e sotme, Elektrosever, një kompani me pronësi serbe e themeluar në Kosovë dhe sipas ligjit të Kosovës, do të fillojë furnizimin me energji elektrike për konsumatorët në katër komuna me shumicë serbe në veri
Sipas kryenegociatorit të Kosovës në dialogun me Serbinë Besnik Bislimi, kjo mundëson faturimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës.
Qytetarët e komunave në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – kryesisht me shumicë serbe – nuk kanë paguar për rrymën e shpenzuar që nga viti 1999. Edhe i dërguari i Posaçëm i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajçak, ka thënë se dakordimi për zbatimin e marrëveshjes për energjinë është “një hap i madh përpara”.
Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha udhërrëfyesi përfshin një sërë hapash, afatesh dhe përgjegjësish për të dyja palët. Të gjitha afatet nisin nga momenti kur Elektrosever merr licencën për furnizim, tha Petkoviq.
“Elektrosever do të kryejë edhe shërbime të rëndësishme të shpërndarjes – ajo që kemi kërkuar dhe në të cilën kemi insistuar. Elektrosever do të kryejë shërbime të shpërndarjes, si: faturim, pagesa, mirëmbajtje e rrjetit dhe lidhje fizike e konsumatorëve. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse do të thotë se kemi autonomi në furnizimin e veriut të ‘Kosovës dhe Metohisë’ me energji elektrike”, tha Petkoviq.
Nga viti 1999 deri më 2017, borxhin për veriun e Kosovës e kanë paguar qytetarët e komunave të tjera të Kosovës. Që nga viti 2017 e deri më sot, konsumi i energjisë elektrike në komunat në veri të Kosovës paguhet nga KOSTT-i, apo Qeveria e Kosovës.
Top Channel