Tirana nuk është vetëm kryeqyteti i rinisë, ajo do të jetë mikpritëse e shkencëtarëve dhe kërkuesve nga e gjithë bota.

“Unë sapo jam kthyer nga Trieste e Italisë ku u organizua konferenca TNC’22, që është konferenca më e madhe europiane në fushën e Teknologjisë së Informacionit që bën Rrjeti Paneuropian i Kërkimit dhe Zhvillimit në fushën e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor për Teknologjinë e Informacionit GEANT. Kam kënaqësinë t’u njoftoj se vitin që vjen Rrjeti Akademik Shqiptar RASH, u përzgjodh të mirëpresë këtë conference në Shqipëri, Tiranë”, tha Dr. Arjan Xhelaj, Rrjeti Akademik Shqiptar.

Lajm i mirë është që kjo konferencë po kthehet në Ballkan pas 20 vjetësh. Për herë të fundit u organizua në Kroaci në 2003.

Në vendin tonë do të vijnë 800-900 shkencëtarë e kërkues nga e gjithë bota dhe në një periudhë 5 ditore prezantojnë arritjet më të mëdha në fushën e Teknologjisë së Informacionit, nga universitete të ndryshme në vende të ndryshme të botës.

Por gjithashtu edhe në fusha të tjera ku gjen zbatim Teknologjia e Informacionit. Kjo ngjarje dhe rrjeti Paneuropian Geant (Zhant) ndihmon çdo student shqiptar, çdo kërkues shqiptar që nëpërmjet rrjeteve të sigurta të shkëmbimit të të dhënave të hyjë në arkiva të ndryshme, në biblioteka të ndryshme, të bashkëpunojë me kolegë në vende të tjera të Europës e të botës dhe të shfrytëzojë aplikacionet e tyre.

Kjo mundëson rritjen profesionale të këtyre studentëve, por edhe bashkëpunimin në të ardhmen në projekte të ndryshme europiane dhe më gjerë. Është kënaqësi të ndajë me gjithë botën akademike se rrjeti Geant do të sjellë përfaqësinë e tij në Tiranë, pra një nyje në Shqipëri.

Konferenca do të jetë një nga eventet më të mëdhaja ku Tirana do të jetë në fokusin e kompanive të njohura, universiteteve më të mëdhaja të botës të cilët janë anëtarë të rrjeteve të tyre akademike, sepse rrjeti Geant është një rrjet i cili përshin të gjitha rrjetet e edukimit dhe kërkimit anembanë Europës, por gjithashtu është edhe nyja kryesore që lidh rrjetet globale të Teknologjisë së Informacionit për pjesën e arsimit dhe edukimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA