Dy skuadrat e reja të Superiores së këtij sezoni do të jetë Bylisi, një skuadër e rikthyer në Superiore dhe Erzeni, që vjen në elitën e futbollit shqiptarë pas 18 vitesh.

Skuadra ballshiote kampione e kategorisë së parë me dominim absolut, është ndër ekipet e cila në këto 10 vitet e fundit e ka provuar më shumë herë ngjitjen dhe rënien nga kategoria.

Presidenti i saj Besnik Kapllanaj në këtë rrugëtim të tijin si drejtues i klubit ballshiot thekson çudinë që ndodh në skuadrën e tij në aspektin financiar.

“Jemi e vetmja skuadër në futbollin shqiptar që nuk marrim asnjë para nga Bashkia e qytetit. Në këto 17 vite që unë drejtoj klubin gjithçka varet nga bizneset personale por nga viti në vit fondet tona ulen dhe shpresojmë shumë që të bëhet diçka me ligjin e sponsorizimit për të patur një zgjidhje”, tha Besnik Kapllanaj, president i skuadrës së Bylisit .

Ndërkohë e kundërta duket të ndodh të paktën në aparencë në skuadrën e Erzenit të Shijakut. Kjo skuadër e kthyer në shoqatë tashmë ka patur një bashkëpunim të mirë në fazën e parë të kampionatit me Bashkinë e qytetit, sic konfirmon edhe vetë kryetari i saj Elton Araban.

“Ka qenë një bashkëpunim Bashki shoqatë që ka sjell këtë sukses. Të gjithë anëtarët e kësaj shoqate janë shijakas që e duan  futbollin dhe Erzenin duan Shijakun. Besoj që do të venë zemrën edhe në këtë sezon të ri në Superiore që të bëjmë më të mirën e mundshme”, tha Elton Arbana, kryetar i Bashkisë Shijak.

Megjithatë infrastruktura dhe çështja e dhënies së stadiumit në përdorim nga Bashkia e Shijakut tek shoqata e klubit Erzeni ka qenë ngërçi i ditëve të fundit që kryebashkiaku premton se do të ketë një zgjidhje, në takimin e së hënës ku do të përcaktohen edhe objektivat e vitit të ardhshëm.

“Ne do të bëjmë ca është e mundur Brenda kuadrit ligjorë ti japim fushën në përdorim shoqatës dhe të vazhdojmë projektet e tjera për të bërë një stadium sipas kritereve të kësaj kategorie. Ne do të mblidhemi të vendosim edhe disa piketa të reja jo vetëm për qëndrimin në Superiore por edhe të kapim disa objektiva të tjerë sic janë kupat e europës”, tha Elton Arbana.

Ndërkohë Kapllanaj në sajë edhe të eksperiencës së tij në objektivat e Bylisit për vitin e ardhshëm mundohet të qëndrojë më poshtë me synimet.

“Jemi të vetëdijshëm që kategoria superiore është më e vështirë dhe ka një tjetër nivel, për këtë arsye ne do na duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe synimi ynë i vetëm do të jetë qëndrimi në kategorinë Superiore”, tha Besnik Kapllanaj.

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA