Europa shihet si një “varkë shpëtimi” nga klubet e Superiores, pasi pjesëmarrja në turret eliminatore siguron para të shumta, që ndihmojnë jo pak në konsolidimin e ekipeve dhe investimin për më shumë futbollistë cilësorë.
Këtë sezon Tirana është skuadra që do të garojë në eliminatoret e Ligës së Kampionëve dhe do të ketë shansin të arkëtojë pa dyshim më shumë se gjithë të tjerat, pasi edhe në rast eliminimi, do të ketë një tjetër mundësi, në turret e Conference League.
Thënë ndryshe, bardheblutë kanë të sigurta 810 mijë euro, edhe në kombinimin më të keq, që është eliminimi në raundin e parë të Champions Leagues dhe në raundin e dytë në Conference Leagues.
Kjo pasi klubet që garojnë në Champions, fitojnë 100 mijë euro për çdo tur ku marrin pjesë dhe 260 mijë euro shpërblim, nëse nuk shkojnë në fazën e grupeve të asnjë kompeticioni të UEFA-s.
Pra nëse Tirana nuk ia del në turin e parë ndaj Dudelange, atëherë arkëton 100 mijë euro dhe luan në turin e dytë eliminator të Conference League, ku nëse nuk ia del as këtu, arkëton 450 mijë euro për pjesëmarrjen dhe eliminimin, si dhe 260 mijë eurot nga Champions-i, duke qenë se nuk ia del të luajë në grupe.
Megjithatë shorti është treguar jo pak bujar me bardheblutë, që kanë shansin të kalojnë minimalisht një tur në Champions dhe të afrohen edhe më shumë me fazën e grupeve të Conference League, çka do të përkthehej në miliona euro të ardhura.
Tre skuadrat e tjera shqiptare, Vllaznia, Laçi dhe Partizani, do të garojnë në Conference league, teksa dy të fundit e nisin nga turi I parë dhe kanë pasur një short mjaft të favorshëm për të avancuar më tej.
Gjithsesi, në rastin më të keq, pra atë të eliminimit në turin e parë, Partizani dhe Laçi arkëtojnë nga 250 mijë euro, të cilat të ndara në zëra janë 100 mijë euro për pjesëmarrjen dhe 150 mijë euro bonus eliminimi.
Por nëse ia dalin të kalojnë një tur dhe eliminohen në të dytin, atëherë sigurojnë 550 mijë euro, të cilat ndahen në 200 mijë euro për pjesëmarrjen, nga 100 për çdo tur dhe 350 mijë euro bonus eliminimi në turin e dytë.
Për çdo tur të kaluar më shumë, shpërblimi për klubet shqiptare rritet me 300 mijë euro, pra shkon 850 mijë euro nëse eliminohen në turin e tretë dhe një milionë e 150 mijë euro nëse eliminohen në fazën Play Off, teksa këto shifra shkojnë në miliona euro, nëse arrijnë të luajnë në fazën e grupeve.
Jo fort bujar ishte shorti për Vllazninë, që do të përballet me rumunët e Universitatea Craiovës, një skuadër me buxhet ndjeshëm më të lartë dhe që vjen si favorite në këtë sfidë, megjithatë shkodranët kanë shanset e tyre dhe do të provojnë të avancojnë më tej.
Gjithsesi, në rastin më të keq, kuqeblutë kanë të siguruara 450 mijë euro, të cilat vijnë 100 mijë për garën në turin e dytë dhe 350 mijë shpërblim për eliminimin në këtë tur. Edhe në këtë rast, për çdo tur të kaluar, Vllaznia shton +300 mijë euro në arkat e saj.
Tabela e shpërblimeve të UEFA-s për periudhën 2021-2024:
Top Channel