Shqipëria po përgatitet për Lojërat Mesdhetare që do të zhvillohen në Algjeri, por përfaqësueses kuqezi do t’i mungojë kampioni i botës në peshëngritje Briken Çalja i dëmtuar në kampionatin e fundit europian ku doli edhe pa rezultat.
Sot ai vazhdon fazën e rikuperimit, me shpresën për të rikuperuar sa më shpejt.
“Është vërtetë për të ardhur keq, pasi Lojërat Mesdhetare janë shumë të rëndësishme, por në mbi të gjitha është shëndeti. Aktualisht jam në një fazë rikuperimi dhe relaksi, mund të them se rrezikun më të madhe kam kaluar, sepse nuk do të kem nevojë për ndërhyrje kirurgjikale, tashmë më duhet të bëjë vetëm terapi që të rikthehem sa më shpejt”.
Por sa peshon mungesa e Çaljes në këto lojëra?
“Dua të them që Briken Çalja do të na mungojë sepse ishte një medalje e sigurt në Lojërat Mesdhetare që do të zhvillohen në Algjeri. Ekipi shqiptarë në këto lojëra do të shkojë me 5 sportist, peshëngritja përsëri do të jetë në zonën e medaljeve dhe do të prodhojë medalje me Evangjeli Velin, Erkand Qerimajn dhe sportistët e tjerë”, thotë Presidenti i Federatës së Peshëngritjes, Elez Gjoza.
Presidenti i Federatës së Peshëngritjes Gjoza na zbulon edhe risinë e saj për këto Lojëra Mesdhetare.
“Unë mund të them që Brikeni do të jetë dhe së bashku me trajnerin e Erkand Qerimajt, do ta nxjerrin Erkandin të garojë. Kjo është risi për federatën tonë, na ndodh për herë të parë në federatën e peshëngritjes, por duhet të jetë një model edhe për të gjithë federatat e tjera. Ne garojmë jemi konkurrent por në fund të fundit ne i japim medalje Shqipërisë”, thotë Gjoka.
Po si ka qenë ky lajm për Çaljen që do t’i duhet të ndihmojë rivalin e tij më të fortë të karrierës në vend?
“Ne kundërshtarë jemi në pedanë, në jetën e përditshme ne jemi miq, jemi shokë dhe absolutisht që i uroj gjithë të mirat sepse do të ishte një gjë shumë e mirë që medalja të vinte në Shqipëri dhe s’ka asgjë të keqe edhe pse është kundërshtari im, unë i uroj më të mirat dhe pse jo të mos jem edhe mbështetje e suport për të në kampionat për ta ndihmuar”.
Top Channel