Policia e Kosovës në orët e para të mëngjesit ka filluar të mobilizohet për protestën e cila do të mbahet sot para Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, protestë kjo e thirrur nga shoqatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Tashmë pranë objekteve të institucioneve, si Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës ka një numër të shtuar të zyrtarëve policorë.

Njëjtë shihet edhe në sheshet kryesore të Prishtinës.Sipas procedurave të parapara, policia ka njoftuar se do të merr masa dhe do të shtojë aktivitetet operative para, gjatë dhe pas përfundimit të protestës.

Policia e Kosovës thotë se ka bërë përgatitjet e nevojshme operacionale policore me qëllim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike si dhe mbarëvajtjes së protestës së lajmëruar për sot, sipas ligjit mbi tubimet publike nga veteranët e UÇK-së.

Policia bëri thirrje që protesta të zhvillohet e qetë duke respektuar ligjet e vendit dhe që kërkesat të shpalosin në mënyrë demokratike e ligjore.

Projektligji i miratuar parasheh rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto, apo 250 euro neto, nga 130-170 sa është aktualisht.

Projektligji, megjithatë, nuk e parasheh lidhjen e pagës minimale me pensionin e veteranëve, siç ka qenë në të kaluarën. Në rast se miratohet edhe në leximin e dytë ashtu siç është, veteranët do të vazhdojnë të marrin pension në vlerë 170 euro.

Veteranët kanë kërkuar që ky Projektligj të mos miratohet edhe në një protestë që kanë zhvilluar para Kuvendit më 6 qershor.

Projektligji i miratuar në parim është kundërshtuar edhe nga partitë opozitare në Kosovë, duke u konsideruar si diskriminues ndaj veteranëve.

Top Channel