Braçe: Blini grurë kuqezi! Pas kronikës në Top Channel, reagon deputeti: Grosistët e marrin më shtrenjtë në Serbi dhe Rusi

16/06/2022 19:48

Bujqësia është pjesë e sigurisë kombëtare. Kështu u shpreh deputeti i PS-së, Erion Brace në parlament. 

Sipas tij, që sipërfaqet e të mbjellave të shtohen, duhet që djersa e bujkut shqiptar të mos vlerësohet nga tregtarët e mëdhenj, ose siç i quan Braçe, nga grabitqarët e bujqësisë. Çmimi i prodhimeve bujqësore duhet të jetë transparent për fermerin, konsumatorin dhe tregtarin, dhe për këtë e ka një mënyrë se si mund të arrihet.

“Bujqësisë shqiptare i duhet bursa, dhe i duhet tani. Me qëllimin që bujku të marrë mundin dhe djersën e tij”.

Fermeri shqiptarë nga viti në vit po mbjell gjithnjë e më pak drithëra, dhe shkaktarët  se përse tokat po mbesin djerrë janë tregtarët e mëdhenj të cilët kërkojnë që grurin vendas ta blejnë 15 lekë më lire se sa grurin nga Serbia dhe Rusia.

 “Të ulim varësinë nga importet dhe të prodhojmë në vend me çmime më të mira. Ai gruri që ka qëndruar 8 muaj në tokë e ka marrë mund dhe sakrificë e shpenzime pa asnjë lloj subvencionimi dje në Tërbuf kushtonte vetëm 36 lekë. 4-7 lekë me humbje. Po çfarë t’i them atyre bujqve atje matanë kur shikoj faturën e një prej katër të mëdhenjve që importojnë grurë në këtë vend e që e sjell nga Serbia me 345 euro toni e në fund fare del me kosto 51 lekë, e shikoni diferencën apo jo. Ndërkohë që kanë grurë në Tërbuf e që mund ta blejnë me 42 lekë. Si ka mundësi që nuk dëgjon asnjeri”.

Por, nuk janë vetëm grosistët e grurit ata që blejnë lirë prodhimin vendas. E njëjta situata shikohet edhe në pikat e grumbullimit të frutave dhe perimeve.

“Është themelore sepse po ndodh gjëma atje poshtë. Ajo domatja që është sot në pjatë kushton vetëm 30 lekë për kilogram. Ajo qepa kushton vetëm 20 lekë.”

Fermeri do të marrë frymë lirisht, atëherë kur të largohet frika se prodhimi i tij bujqësorë mund të përfundojë në kanal prej mungesës së tregut.

Këto pamje mund të bëhen pjesë e së kaluarës nëse I thuhet stop atyre tregtarëve që blejnë lirë fruta dhe perimet e bujkut dhe ia sheshin shtrenjtë konsumatorit.

Ajo patatja që shkojmë rrëmojmë me duar atje dhe bëjmë sikur po e vjelim kushton vetëm 22 lekë”.

Ky koment i Braçes, u duk sikur përshkruajti veprimet e ministres së Bujqësisë, Frida Krifca. Fjalimi i Braçes u shoqërua nga duartrokitjet e opozitarëve.

Top Channel