Këtë hapësirë prej 17 hektarësh e kërkoi kompania “Sunny Hill” për mbajtjen e festivalit më të madh muzikor në Kosovë, “Sunny Hill Festival”. 

Komuna e Prishtinës mes shumë kundërshtimesh e aprovoi këtë kërkesë dhe toka iu dha në shfrytëzim kompanisë për 99 vjet. Megjithatë, vonesat për aprovim nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, u bën shkaktar që festivali të zhvendoset.

Themeluesi dhe organizatori i festivalit Sunny Hill, Dukagjin Lipa, me një letër të gjatë njoftoi krerët e institucioneve se këtë vit festivali nuk do të mbahet në Prishtinë. E me këtë letër po ashtu la fajtorë, pikërisht këto institucione ër zvarritje administrative për aprovimin e Kuvendit Komunal të Prishtinës për dhënien në shfrytëzim të kësaj hapësire në Bërnicë të Poshtme për festivalin. Sipas Lipës kjo zvarritje pamundëson të bëhen përgatitjet e duhura për festivalin e sivjemë andaj është zhvendosur në Tiranë.

Kontrata parasheh shndërrimin e kësaj hapësire në park dhe kthimin në pronësi të komunës nëse festivali nuk do të mbahej. Por, Lëvizja Vetëvendosje nuk pajtohej tërësisht me këtë kontratë.

Sipas Ministrisë së Pushtetit Lokal, Komunës së Prishtinës i është kërkuar dokumentacion shtesë për kohëzgjatjen e dhënies në shfrytëzim dhe pjesën e parcelës që ka statusin e tokës bujqësore si dhe planin e realizimit të investimit dhe qarkullimin bankar të kompanisë. Po ashtu shton se ky vendim është ende në shqyrtim.

Megjithatë, kjo acaroi shumë prej udhëheqësve politikë në vend. Kryetari i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama e fajëson Qeverinë për largimin e Sunny Hill nga Prishtina dhe akuzon se ekzekutivi ka tentuar të ndryshojë vullnetin e Kuvendit Komunal të Prishtinës.

Nërkohë që raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon e quan gabim të Qeverisë pamundësinë për të mbajtur festivalin në Prishtinë.

Besnik Tahiri, deputet i AAK-së e quan Qeverinë “Breshkë” meqë në mungesë të dinamikës së mirëfilltë të punës nuk arriti t’i sigurojë një vend festivalit. Ndërkohë që kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi thotë se Qeveria Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje e përzunë “Sunny Hill” nga Kosova. Ndërsa nga presidenca thonë që luftuan për të mbajtur Sunny Hill në Prishtinë.

Ky është edicioni i tretë i festivalit “Sunny Hill”. Përgjatë dy edicioneve të kaluara festivali u organizua në Parkun “Gërmia” në Prishtinë e morën pjesë këngëtarë të skenës botërore krahas atyre vendorë.

Top Channel