Në një intervistë për televizionin publik të vendit ERT, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ia ka hedhur Turqisë përgjegjësinë për përshkallëzimin e tensionit mes dy vendeve.
Ishte Ankaraja ishte ajo që pas takimit me zotin Erdogan në Stamboll para dy muajsh, nisi fluturimet mbi territorin tonë, ka thënë Mitsotakis, ndërsa në pyetjen se çfarë do të bëjë Greqia nëse logjika nuk mbizotëron në Ankara dhe ka një përshkallëzim edhe me të madh tensioni, ai u përgjigj :
“Ne do të bëjmë gjithçka që duhet. Dhe grekët duhet të ndihen absolutisht të sigurt, se vendi nuk ka vetëm një aftësi të fortë parandaluese, të cilën besoj se jemi kujdesur ta forcojmë në tre vitet e ardhshme, por ka edhe aleatë shumë të fortë dhe është pjesë e një kuadri vendesh që perceptojnë se kufijtë nuk mund të shkelen me forcë dhe se mosmarrëveshjet ndërmjet shteteve duhet të zgjidhen mbi bazën e vetme të së drejtës ndërkombëtare”.
Pa kaluar veçse pak orë, presidenti turk Erdogan në një fjalim në grupin e tij parlamentar, ku është shprehur se Ankaraja nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj për Suedinë dhe Finlandën, derisa të ndërmarrin hapa konkretë për të luftuar kundër terrorizmit, ka paralajmëruar «grekët e llastuar» siç i ka quajtur ai, se në se nuk ndryshojnë mend, do ta paguajnë si në të kaluarën:
“Jemi të vetëdijshëm për trukun që po inskenojnë disa fuqi me provokimin e Greqisë. Greqia është një artiste figurative në këtë shfaqje dhe për fat të keq këtë skenar e kemi parë edhe më parë gjatë historisë. Në këtë pikë pyetja është nëse Greqia po e luan këtë rol vullnetarisht apo jo“, tha Erdogan.
Ajo që vihet re tashmë tek dy fqinjët dhe aleatët e NATO-s ,që vetëm para dy vitesh gati sa nuk arritën në një përplasje ushtarake në Egje, është fakti se tensionet dhe retorikat vijnë thuajse çdo orë, jo vetëm nga liderët, por edhe nga ministrat, deputetët dhe opozitarët e dy vendeve, retorika të cilat përcillen pa pushim nga kanalet televizive dhe gazetat.
Kjo përplasje e re , që besohet se nuk do zbutet pasi dy vendet përgatiten për zgjedhje, vjen në një moment kur Greqia konsideron se ka bërë gjithçka për të qenë aleati më i rëndësishëm dhe i afërt për SHBA-në dhe NATO-n duke dhënë akses tek bazat e saj ushtarake ,por dhe duke blerë gazin e lëngshëm amerikan, ndërsa edhe Perëndimi e sheh Turqinë si një aleat shumë të rëndësishëm, si një treg shumë të madh dhe me një ushtri të gatshme për të ëdo gjë.
Ndaj dhe deklaratat nga Uashingtoni dhe NATO janë të distancuar dhe bëjnë thirrje për vetëpërmbajtje, për më tepër edhe për të shmangur një incident të mundshëm në Egje dhe destabilitet në rajon, në një moment kur lufta në Ukrainë ,po gjunjëzon shumë nga ekonomitë më të fuqishme të planetit.
Top Channel