Presidenti serb Aleksandar Vuçiç deklaroi se Serbia është e gatshme të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën për personat e zhdukur në kohën e luftës.
“Jemi të gatshëm të firmosim marrëveshjen për personat e pagjetur. Jemi të vetëdijshëm se duhet të jetojmë pranë njëri-tjetrit”, tha kreu i shtetit serb pasi vendosi kurora kurorave me lule në Monumentin e Heronjve të Koshares, në Beograd.
Çështja e të zhdukurve gjatë gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-99, ka qenë një pikë e fortë përplasjesh mes dy vendeve, e është ngritur edhe në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, i cili zhvillohet në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Një diplomat i lartë i bllokut qe shprehur se Kosova dhe Serbia ishin shumë pranë nënshkrimit të ujdisë, por zyrtarisht, deri më tani, nuk është arritur ndonjë e tillë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte insistuar që Velko Odalloviç, të shkarkohej nga pozita e kreut të Komisionit serb për Personat e Zhdukur, pasi ai është anëtar i Partisë Socialiste të Serbisë, e cila në vitet ’90, udhëhiqej nga Sllobodan Millosheviq.
Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë rreth 13,000 njerëz, janë zhvendosur mbi 800,000, e u zhdukën pothuajse 6,000 vetë. Mbi 1,600 persona mbeten të zhdukur edhe sot e kësaj dite.
Top Channel