Tjetër varr masiv në Bucha, Zelensky thirrje Gjermanisë: Na mbështesni ne, jo Moskën!

14/06/2022 13:33

Autoritetet ukrainase thonë se kanë gjetur një varr të ri masiv me trupa civilësh pranë Buchas, në rajonin e Kievit.

Sipas policisë lokale, trupat e shtatë civilëve u zbuluan në afërsi të fshatit Myrotske; shumë prej tyre ishin me “duar të lidhura e kishin plagë nga armë zjarri edhe në gjunjë”.

Në deklaratë theksohet se përpara ekzekutimit, civilët janë torturuar. Operacionet e identifikimit janë duke vijuar, ndërsa Prokuroria njoftoi se është nisur menjëherë një hetim për krime lufte.

Zyrtarët perëndimorë dhe ata ukrainas kanë folur vazhdimisht për prova në rritje të atyre që i quajnë mizori sistematike dhe krime lufte që po kryhen nga forcat ruse ndërsa tërhiqen nga disa pjesë të Ukrainës.

Në një intervistë për televizionin gjerman, ZDF, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, shpërtheu ndaj  kancelarit gjerman, Olaf Scholz, duke i kërkuar të ketë një pozicion më të qartë për luftën e Rusisë në Ukrainë.

“Kreu i qeverisë federale gjermane dhe ekzekutivi i tij duhet të vendosin dhe të mos tentojnë ruajtjen e ekuilibrave me Rusinë. Neve na duhet që kancelari Scholz të sigurojë që Gjermania mbështet Ukrainën.”– tha Zelensky

Gjermania ka nisur të dërgojë armë më vonë sesa shtetet fqinje. Ky është fakt, shtoi Zelensky, sipas të cilit Berlini dhe Parisi në fillim e kanë mbështetur Ukrainën vetëm në aspektin politik dhe retorik. Scholz i hodhi poshtë kritikat se Gjermania është duke vepruar shumë ngadalë në dërgim të armëve të rënda në Ukrainë. “Ne do të dërgojmë të gjitha armët për të cilat jemi pajtuar, por ato janë armë tejet të rënda. Duhet të mësoheni t’i përdorni, duhet të trajnoheni”, u shpreh ai duke shtuar se ushtarët ukrainas janë duke kryer trajnime në Gjermani për këtë gjë.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA