Avokati Adriatik Lapaj i ftuar në “Top Talk” foli për situatën kriminale në Shqipëri bazuar kryesisht në atentatin me tritol të ndodhur së fundmi në mes të ditës, ku mbeti viktimë një 27-vjeçar.
Lapaj i konsideron këto akte të terrorizimit të qytetarëve si një dëm i madh psikologjik, njëkohësisht theksoi se kjo gjë duhet të luftohet nga drejtësia.
“Aktet publike të terrorizimit të qytetarëve janë akte të cilat kanë fuqinë goditëse psikologjike të shoqërisë shumë të madhe. Mbjellja e terrorit duhet të luftohet me dhunën e ligjit në mënyrën më të fortë të mundshme. Në kemi arritur fundin nuk ka më poshtë se kaq”, tha avokati.
Sipas tij kjo gjë mund të luftohet më së miri nga shembujt modele, të cilat sjellin ndërgjegjësim dhe reagime të qytetarëve.
Lapaj foli edhe për mosreagimin që qytetarët kanë në lidhje me këto ngjarje, të cilat kanë ardhur si pasojë e një shoqërie të mësuar me të keqen.
“Mosreagimi i njerëzve është e çuditshme. Ne si shoqëri për fat të keq po mësohemi me të keqen. Ne na duhet të marrim frerët e ndryshimit njerëz që kanë guximin të dalin kundër rrymës”, tha avokati.
Ai e konsideron krejtësisht normale që në këtë shoqëri t’i japësh lek mjekut dhe prokurorit, pasi qytetarët e kanë kthyer në mënyrë jetese. Por theksoi se kjo gjë duhet të ndryshohet duke nisur me reflektimin që tani.
“Po korrim atë që kemi mbjellur. Duhet të fillojmë të mbjellim tjetër model dhe të tjera bimë. T’i themi njerëzve të priren nga e mira, t’i themi të mos i hedhin baltë të mirës. Ne duhet të mbjellim tani të mirën që ta korrim pas disa vitesh”, tha Lapaj.
Top Channel