Prej javësh tashmë, Severodonetsk ka qenë në fokus të bombardimeve ushtarake ruse në Ukrainë ku raportet bëjnë me dije se rreth 70% e qytetit është aktualisht nën kontrollin rus.
Severodonetsk dhe qyteti i tij “binjak”, Lysychansk, formojnë një pikë qendrore të rëndësishme rajonale dhe industriale në rajonin Luhansk të Ukrainës lindore.
Marrja e dy qyteteve do t’i jepte Rusisë kontrollin e të gjithë rajonit të Luhanskut, pjesë të të cilit tashmë kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Rusia. Qytetet ‘binjake’ qëndrojnë sipër lumit strategjik Siversky Donets, ndërsa sektori kryesor qendror 90 km i gjatë (56 milje) i vijës së frontit të Rusisë shtrihet në perëndim të lumit.
Guvernatori i rajonit thotë se e treta nga tre urat në qytet është shkatërruar sot, një ditë pas të dytës. Me zonat e kontrolluara nga Rusia në veri, lindje dhe jug të Severodonetsk, kjo reduktoi ndjeshëm aksesin në dhe nga zonat e kontrolluara nga ukrainasit.
Guvernatori rajonal Serhiy Haidai ka thënë se beson se Lysychansk, i cili ndodhet në terren më të lartë, ka një rëndësi më strategjike dhe se rusët kanë synuar gjithashtu rrugën nga Bakhmut drejt dy qyteteve.
Vetëm rreth 15,000 njerëz, nga një popullsi prej 100,000 e paraluftës, besohet se janë ende në qytet. Me granatimet e forta dhe luftimet intensive në rrugë që po vazhdojnë, evakuimi është i pamundur për momentin, me situatën e përshkruar si “jashtëzakonisht e vështirë”.
Luhansku dhe rajoni fqinj i Donetskut – që shtrihen nga Mariupol në jug deri në kufirin verior me Rusinë – përbëjnë Donbasin, i ashtuquajturi “çlirimi” i të cilit është aktualisht prioriteti kryesor i presidentit rus Putin.
Suksesi ushtarak rus në Donbas mund të çojë në aneksimin nga Moska të të gjithë rajonit, besojnë zyrtarët amerikanë.
Top Channel