Dy zyrtarë të programit të aeronautikës së Iranit, mes të cilëve dhe një anëtar i Gardës Revolucionare, janë martirizuar gjatë kryerjes së misioneve, tha sot agjencia shtetërore vendase Fars.
Ali Kamani, anëtar i divizionit aeronautik të Gardës Revolucionare kishte humbur jetën në qytetin Khomein në provincën qendrore iraniane Markazi, tha Fars duke cituar deklaratën e ushtrisë, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Agjencia opozitare iraniane me bazë në Londër ‘Iran International’, tha dje se Kamani kishte vdekur në një aksident automobilistik.
Ndërsa në një tjetër incident, Mohammad Abdous, 33 vjeçar, anëtar i forcave të aeronautikës, vdiq në provincën veriore Semnan teksa ishte në një “mision”, tha Fars.
Qendra Hapësinore Semnan raportohet se kryen lëshime satelitore dhe testime të raketave balistike.
Dy javë më parë, kolonel Ali Esmailzadeh, zyrtar i lartë i Gardës revolucionare kishte vdekur në një “aksident në shtëpinë e tij”, njoftonte agjencia shtetërore iraniane IRNA.
Ndërsa më 22 maj 2022, koloneli Sayyad Khodai, 50 vjeç, u vra në një atentat jashtë shtëpisë së tij në Teheran nga sulmues në motoçikleta.
Për këtë të fundit Irani akuzonte “sionistët izraelitë” si përgjegjës të atentatit ndaj Khodai dhe u zotuan për hakmarrje.
New York Times raportoi më vonë se Izraeli kishte pranuar se ishte përgjegjësine për vrasjen e Khodai.
Televizioni iranian tha se Khodai ishte anëtar i Gardës Revolucionare dhe “njihej” në Siri, ku Irani ka stacionuar disa këshilltarë ushtarakë.
Top Channel