Zyrtarët në Ukraine pretendonin dje se Rusia ka humbur aq shumë ushtarë në luftën e tyre në Ukrainë saqë janë detyruar të magazinojnë trupat e ushtarëve të vrarë në një fabrikë paketimi mishi në Melitopol, që është modifikuar si një morg.
Në njoftimin për shtyp, të degës së inteligjencës së ushtrisë ukrainase thuhej se ushtria ruse nuk ka më vend për vendosjen e të vdekurve në rritje.
Ata shtonin se zyrtarët rusë po kërkojnë “frigoriferë të tjerë shtesë” për vendosjen e trupave në qytetin e pushtuar të Melitopol, në juglindje të kryeqytetit ukrainas Kiev.
“Administrata pushtuese e Melitopol po kërkon frigoriferë shtesë dhe frigoriferë industrialë, pasi fabrika e paketimit të mishit e qytetit është konvertuar në një morg,” thuhej në deklaratë.
Ukrainasit shtonin: “Fabrika e paketimit të mishit është mbushur me trupat e pushtuesve të vrarë dhe nuk mund të mbajë më”.
Zyrtarët ukrainas vijonin më tej të spekulonin mbi praktikat e menaxhinit të trupave të të vrarëve të luftës, duke thënë se “pronarët e fabrikës ishin urdhëruar prej rusëve që t’ia linin fabrikën pa pagesë”.
Trupat e magazinuar aty ishin vrarë në betejat pranë qyteteve të Polohy e Huliaipole në rajonin Zaporizhia, shtonin zyrtarët e Kievit.
“Këto evente kanë lidhje me humbjet e rënda në njerëz të pushtuesve,” thuhej në njoftimin ukrainas për shtyp.
Zyrtarët rusë nuk kanë reaguar ndaj pretendimeve të sotme.
Forcat ruse kanë marrë kontrollin e qytetit Melitopol në javën e parë të sulmit në Ukrainë.
Në mars ushtria ruse vendosi një kryebashkiak të ri në Melitopol teksa i meparshmi u arrestua nga ushtria.
Top Channel