Rusia ka vjedhur 600 mijë tonë grurë nga territoret e pushtuara ukrainase dhe një pjesë të tij, e kanë eksportuar tashmë deklaroi nënkryetari i Këshillit Agrar të Ukrainës, Denys Marchuk.
Ai pretendon se gruri është transportuar drejt portit të Sevastopolit në territorin e Krimesë, dhe prej andej, është nisur me anije drejt Lindjes së Mesme.
“Të gjitha këto veprime janë në fakt, operacione të planifikuara mirë nga pushtuesi. Janë hapur disa çështje penale që kërkojnë shqyrtim nga Gjykata Ndërkombëtare. Ukraina do të kërkojë kompensim nga Rusia si për grabitjen e drithit, ashtu edhe për shkatërrimin e pronave të fermerëve”, tha Denys Marchuk nga Këshilli Agrar i Ukrainës.
CNN kishte raportuar më herët se autokolona kamionësh janë parë duke transportuar grurin nga fermat dhe mullinjtë në jug të Ukrainës, në drejtim të Krimesë.
Autoritetet ukrainase vlerësojnë se deri në muajin maj forcat ruse, kishin vjedhur në rajonet e pushtuara mbi 400 mijë tonë grurë.
Ukraina është një ndër eksportuesit më të mëdhenj të botës për grurin, misrin dhe vajin e lulediellit, por lufta dhe bllokada ruse ndaj porteve të saj kanë ndalur pjesën më të madhe të transportit, duke vendosur kështu në rrezik furnizimin me ushqime të shumë vendeve në zhvillim.
Vetëm një ditë më parë, Rusia dhe Turqia shprehën mbështetjen për krijimin e një korridori të sigurt detar në Detin e Zi, në mënyrë që Ukraina të eksportojë drithërat drejt tregjeve globale, ndërsa po përshkallëzohet kriza botërore e ushqimeve, megjithatë mjaft analistë shprehin dyshime mbi gatishmërinë e Moskës për zgjidhjen e krizës.
Top Channel