Tirana ka 39 çerdhe që mirëpresin në një ditë 3500 fëmijë. Prindërit po aplikojnë për t’i çuar të vegjlit e tyre në çerdhe dhe i gjithë ky proces, përfshirë regjistrimin, do të mbyllet brenda muajit korrik.

“Djali im Joeni është 16 muajsh, do ta çojmë në çerdhe, pasi ne jemi në punë. Dokumentat i mora brenda ditës, dhe janë certifikatë personale, familjare dhe vërtetime pune e pagash. E kisha në privat, nuk më pëlqeu, tani po e provoj këtu, pasi kam besim se kontrolli në çerdhet shtetërore është më i madh, dhe ndihemi më të sigurt”, tha një prind.

Dita është 1300 lekë të vjetra, sa një byrek, dhe për më tepër që paguan vetëm për ditët që fëmija frekuenton çerdhen. Çerdhja hapet në orën 6.30 dhe mbyllet në 17.30.

“Aplikimet për t’i regjistruar fëmijët në çerdhe nisën në datën 6 qershor, pra të hënën dhe mbyllen në datën 10, të premten. Prindërit po aplikojnë në çerdhet që janë në njësitë e tyre administrative duke paraqitur certifikatën e fëmijës, certifikatën familjare dhe dy vërtetimet e punës”, tha Drejtoresha e Drejtorisë së Kopshteve dhe Çerdheve në Tiranë, Zhaneta Beqiri.

Kur të mbyllet aplikimi, menjëherë dokumentacioni do të grumbullohet në drejtorinë qëndrore të çerdheve dhe kopshteve. Bëhet shqyrtimi i dokumentacionit dhe urdhrat për fillimin e sezonit do të jenë gjatë muajve të verës, në mënyrë të tillë që t’u jepet kohë fëmijëve, që të përshtaten dhe shtatori të fillojë mbarë me programin e përshtatjes, për sa i takon çerdheve, por po në të njëjtën mënyrë do të punohet edhe me kopshtet.

Çerdhja numër 1 vetëm ditën e parë pati 56 aplikime që deri më tani kanë shkuar në 100 , kur në këtë çerdhe ka 70 vende. Por lajm i mirë është që nga shtatori e në vazhdim do të happen edhe 6 çerdhe të reja në kryeqytet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA