Rrëzohet Komisioni Hetimor për investimet strategjike në kuvend/ Mazhoranca voton kundër, Alibeaj debaton me Nikollën

09/06/2022 10:49

Kuvendi nuk do të diskutojë këtë të enjte për Komisionin Hetimor për investimet strategjike, pasi shumica e deputetëve votuan kundër.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj debatoi me kryetaren e kuvendit, Lindita Nikolla dhe e akuzoi se nuk po respekton rregulloren e Parlamentit.

“Nuk ka qenë në rendin e ditës kjo pikë deri para 5 minutash. Ka disa rregulla si futet një çështje në rendin e ditës së seancës. Ju hodhët në votim një çështje pa kërkesë, vendosët mos të futet në rendin e ditës. Keni bërë një gjë me mënd në fakt se kjo çështje kërkon diskutim nga ne që e propozuam. Deputetët duhet të përgatiten. Kështu që ne nuk e kuptojmë këtë ngutjen tuaj. Ne duam ti jepet mundësia të gjithë deputetëve sepse është një çështje që u përket qytetarëve. Të drejtën për diskutim nuk mund të na e hiqni”, tha Alibeaj.

Pas rrëzimit të kërkesës së opozitës, seanca vazhdon me interpelancën mes deputetes Ina Zhupa dhe ministres së Kulturës, për çështjen e Butrintit.

Top Channel