Historiani Paskal Milo i ftuar këtë të enjte në Top Story theksoi se Prishtina duhet të përfshihet në një proces reflektimi pas takimit të djeshëm të Ballkanit të Hapur.

Ai theksoi se duke ndenjur jashtë kësaj nisme, Kosova humb shansin që të zgjidhë problemet e saj, pasi Ballkani i Hapur ka marrë mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së.

Pas takimit të djeshëm, në Prishtinë duhet të ketë një reflektim serioz, e them këtë nga ajo që ndjek zhvillimet, por edhe nga përvoja, pavarësisht se ka atë drejtë Prishtina të pretendojë për statusin dhe marrëdhëniet me Serbinë, do t’i mbrosh interesat e tua duke ndenjur jashtë procesit?! Si do t’i zgjidhësh problemet, kur mbrapa kësaj nisme qëndrojnë SHBA, që janë partneri dhe avokati kryesor i shqiptarëve dhe BE. këtu nuk ka kundërvënie të BE me SHBA dhe as rivalitet këtu ka ndarje pune midis tyre. Secili ka një rol për ta luajtur dhe mbështetur këtë nismë. Kosova duhet ta shikojë në këtë formë dhe të përpiqet të punojë nga të dyja drejtimet, duhet të reflektojë që të bëhet aktore e procesit. Deri tani mund të kishte justifikim kur ende nuk ishin shtetet e tjera, por pas kësaj”, tha Milo.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhanë bekimin e tyre për Ballkanin e Hapur përmes të dërguarit të posaçëm, Gabriel Escobar, gjatë takimit të djeshëm.

Edhe Komisioni Europian e sheh Ballkanin e Hapur, gjithashtu  si një hap pozitiv drejt integrimit.

Kosova refuzon të bëhet pjesë e kësaj nisme, pasi e quan nismë të Serbisë.

Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi  për herë të parë iu bashkuan nismës në rolin e vëzhguesit. Dritan Abazoviç dha sinjale për një hap më shumë në të ardhmen e afërt.

 

 

Top Channel