Shoferi i dyshuar që përplasi sot makinën e tij mes kalimtarëve në një qendër tregtare në kryeqytetin gjerman Berlin është filmuar teksa “thërriste për ndihmë” kur arrestohej nga policia.
Makina e tij ka vrarë një mësues, gjashtë njerëz janë në gjendje kritike për jetën ndërsa 12 të tjerë, të cilët ishin nxënës, kanë marrë plagë serioze nga sulmi në sheshin kryesor të Berlinit.
Mjeti me ngjyrë të argjendtë Renault Clio u ngjit në trotuar në sheshin Breitscheidplatz, pak para orës 10.30
Video të marra pas ngjarjes tragjike tregonin shoferin e dyshuar që shoqërohej nga policia.
Në pamje tregohej një burrë me një bluzë të verdhë, i veshur me një komplet tutash e atlete blu.
Para se të futej në makinën civile të policisë, ai shihet që thërret në gjermanisht: “Më ndihmoni! Më ndihmoni!”
Ndërsa kalimtari që filmon përgjigjet me vete: “Cfarë ndihme kërkon, sapo ke vrarë njerëz, idiot.”
Policia e Berlinit konfirmoi se kishte arrestuar një 29-vjeçar gjermano-armen që jeton në Berlin.
Më shumë se 100 mjete emergjence erdhën për ndihmë në incident, tha kryebashkiakia e Berlin, Franziska Giffey.
“Jam shumë e prekur nga ky incident. E dimë se ka një të vdekur dhe disa të plagosur rëndë. Policia po punon për të qartësuar situatën,” tha Giffey.
E përditshmja BILD raportonte se i dyshuari me inicialet Gor H, kishte lënë në makinë një ‘letër rrëfimi’.
Nuk është ende plotësisht e qartë nëse burri kishte drejtuar qëllimisht makinën drejt njerëzve.
Një hetues tha për rrjetin BILD: “Me siguri që nuk është një aksident – ai është një vrasës gjakftohtë.”
Pas përplasjes shoferi besohet se ishte larguar me vrap para se kalimtarë të guximshëm ta ndalonin dhe ta shoqëronin te policia.
Top Channel