Merkel: Lufta e Rusisë në Ukrainë, tragjedi e madhe

08/06/2022 10:35

Ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se ajo ishte përpjekur shumë për të parandaluar që situata në Ukrainë të shndërrohej në një konflikt të plotë.

Duke folur në intervistën e parë qëkur u largua nga posti i kancelares, Merkel tha më 7 qershor se ajo ndiente “trishtim të madh” që përpjekjet gjermano-franceze rreth marrëveshjes së paqes të Minskut me Rusinë nuk funksionuan, por ajo nuk e fajësoi veten.

“Diplomacia nuk është gabim për faktin që nuk funksionoi. Pra, nuk e kuptoj pse duhet të them se ishte gabim dhe të kërkoj falje për këtë”, tha ajo gjatë intervistës për ARD.

Marrëveshjet e paqes të Minskut, të arritura më 2014 dhe 2015, kishin për qëllim të zgjidhnin konfliktin në lindje të Ukrainës midis separatistëve të mbështetur nga Rusia dhe forcave qeveritare ukrainase. Liderët e Ukrainës, Rusisë, Gjermanisë dhe Francës u takuan nën të ashtuquajturin Format të Normandisë, duke kërkuar që t’i jepnin fund konfliktit. Por, këto pakte nuk u zbatuan plotësisht.

Duke folur për situatën aktuale, Merkel tha se nuk ka asnjë justifikim për “mospërfilljen brutale të ligjit ndërkombëtar” nga Rusia.

Ajo tha se sulmi ndaj Ukrainës ishte një gabim i madh dhe e pyeti veten se çfarë do të mund të bënte ndryshme.

“A kemi mundur të bëjmë më shumë që të parandalojmë këtë, që unë tani po e quaj tragjedi të madhe. Prandaj ju vazhdoni të pyesni pse, dhe unë natyrisht që vazhdoj t’i bëj këto pyetje”, tha ajo.

Merkel tha se ka qenë kundër planit për të lejuar Ukrainën të anëtarësohej në NATO sepse ajo dëshironte të shmangte një përshkallëzim me Rusinë dhe sepse Ukraina nuk ishte e gatshme t’i bashkohej aleancës.

Ajo po ashtu tha se nuk ka qenë naive lidhur me “urrejtjen” e presidentit rus, Vladimir Putin, për modelin e demokracisë perëndimore, duke thënë se i ka paralajmëruar disa herë kolegët e saj se Putin dëshironte të përçajë Bashkimin Evropian.

Merkel ishte kancelare e Gjermanisë nga viti 2005 deri më 2021.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA