Kjo është një çështje serioze për shëndetin. Grimcat nga plastika që përdorim çdo ditë e që jetojnë për qindra vjet, konsumohen po prej nesh në mënyrë të pavetdijshme përmes ushqimit, ujit dhe frymëmarrjes.
Është shumë e thjeshtë. Ndotja nga përdorimi masiv i qeseve plastike dhe produkteve të tjera plastike ka kontaminuar gjithë planetin – nga maja e malit Everest deri në oqeanet më të thella.
Por nëse themi planet, Everest apo oqean nuk do të thotë se problemi ëhstë i largët dhe se këtu në Shqipëri nuk po përballemi me të njëjtin shqetësim dhe situatë alarmante. Pjesë e këtij problemi është edhe shëndeti jonë.
Në një mënyrë apo tjetër, çdo produkt ushqimor në tryezë është i kontaminuar me grimca plastike mjafton të përmendim më bazikët, uji dhe kripa për të vijuar me gjithë varietetet, frutat e detit dhe ato të tokës, perimet, produktet dhe nën produktet shtazore, ato të paketuara, ato të eksportuara – pothuajse gjithçka që ne konsumojmë.
Jo pa arsye, rreziku plastik tek shëndeti është shndërruar në mision shkencor. Në mars të këtij vitit, ndotja mikroplastike është zbuluar për herë të parë në gjakun e njeriut, ku shkencëtarët gjetën grimca të vogla plastike në pothuajse 80% të njerëzve të testuar.
Zbulimi tregon se grimcat mund të futen nëpër trup dhe mund të mbeten në organe. Për këtë arsye, shkencëtartët kanë ngritur shqetësim alarmues pasi mikroplastika e analizuar në laborator rezulton se shkakton dëme në qelizat njerëzore. Grimcat e ndotjes së ajrit hyjnë në trup duke dëmtuar muret qelizore, krijojnë alergji të ndryshme deri tek shkaktimi i sëmundjeve vdekjeprurëse.
“Dëmtimi i qelizave është në shumë raste nisja fillestare e efekteve shëndetësore” konfirmon Evangelos Danopoulos, studiues shkencor Hull York Medical School në Britaninë e Madhe. “Duhet të shqetësohemi. Tani për tani, nuk ka vërtet një mënyrë se si mund ta mbrojmë shëndetin ndaj këtij fenomeni.”
Kujdesi më i mirë është shmangia e problemit në fillesën e tij, përkatësisht zvogëlimi i përdorimit të plastikës në jetën tonë të përditshme. Dhe kjo kërkon një përfshirje kolektive me përfshirjen e shoqërisë ku jetojmë, kompanive që prodhojnë plastikë dhe organeve rregullatore. Ne duhet të veprojmë pa vonesë të mëtejshme për të mbrojtur zinxhirin tonë ushqimor.
Në mbrojtje ndaj këtij fenomeni, Shqipëria po hyn në një fazë të re të kujdesit ndaj rrezikut që ndotja plastike shkakton në shëndet, mjedis dhe ekonomi. Muaji qershor 2022 shënon një kthesë në shmangien e qeseve plastike. Por ndërsa ligji tashmë i miratuar në Parlament hyn në fuqi dhe institucionet publike dhe ato ndërkombëtare janë duke drejtuar fushata me rëndësi ndërgjegjësimi – faktori kryesor që do ta bëjë nismën të jetë e suksesshme dhe jetesën tonë më të shëndetshme jemi vet ne konsumatorët!/ Agroweb
Top Channel