Nafta ka arritur në nivele rekord në tregun vendas. Me vendimin e ri të Bordit të Transparencës çmimi i naftës arriti në 258 lekë duke u rritur me 10 lekë më shumë.

Çmimi i ri do të reflektohet nga pasditja e të mërkurës në pikat e karburanteve. Me këtë çmim i afrohet nivelit prej 260 lekë litri që arriti në fillim të marsit, kur u shtrenjtua me 30 lekë brenda natës.

Pas kësaj, qeveria vendosi ngritjen e bordit që pavarësisht qëllimit për kufizimin e çmimit të karburanteve, deklaron se reflekton atë që ndodh në tregjet ndërkombëtare. Aktualisht në bursa, një fuçi naftë tregtohet për 121 dollarë.

Ndërsa benzina ka shënuar një rënie të lehtë me 1 lekë më pak dhe do të shitet në pikat e karburanteve për 243 lekë litri.

Me vendimin e ri edhe çmimi i gazit është ulur me 4 lekë. Konsumatorët nga e mërkura deri në vendimin e radhës së bordit do ta blejnë atë për 86 lekë litri, nga 90 lekë që ishte.

Me rreth 2.1 euro për litër shqiptarët e blejnë naftën shumë më shtrenjtë se qytetarët e Serbisë, Kosovës, Malit të Zia, Maqedonisë së Veriut e Bosnje Hercegovinës që pavarësisht krizës së çmimeve paguajnë për karburantin nga 1.5 deri në 1.7 euro litri.

Top Channel