Një kabinet në shkollën 9-vjeçare “Qazim Turdiu” në kryeqytet, është pajisur me poltron të ri dentar, duke ofruar shërbim cilësor për gati 550 nxënësit.
Projekti pilot është zbatuar në 10 shkolla të Tiranës dhe prej tij po përfitojnë 11 mijë nxënës. Ina Molla, nxënëse e klasë së pestë po bën kontrollin e radhës tek dentiste Erjona.
“Unë kujdesem shumë për dhëmbët. I laj 2-3 herë në ditë. Kontrollin e tyre e bëj 1 herë në 6 muaj. Nuk duhet të hamë shumë sheqerna, si torta, biskota, pasi ato I dëmtojnë dhëmbët, por ndonjëherë edhe mund të hamë, se pa ato nuk jetojmë dot. Këtu tek dentistja e shkollës kam ardhur për një kontroll të thjeshtë dhe të them të drejtën ishte shumë bukur këtu. Më pëlqen edhe doktoresha është shumë e mirë. Është fiks për fëmijë. Dentistja është çdo ditë këtu për ne. Këtu nuk duhet të paguajmë. Ndërsa shërbimi jashtë shkolle p.sh. një mbushje dhëmbi ose dhëmballe kushton 30 mijë lekë e më shumë”, thotë nxënësja Ina Molla.
“Kam ardhur vetëm njëherë këtu për kontroll, ndërsa sot bëra fluorizimin që mbron dhëmbët nga dëmtimi dhe ndjeshmëria nga të ftohtët. Këtu nuk stresohesh dhe ishte më mirë se sa e prisja”, shprehet Stejsi Borizani.
“Shërbimi dentar në këtë shkollë është përqendruar tek depistimi, pra evidentimi i problemeve që kanë fëmijët me dhëmbët dhe tek parandalimi që përfshin pastrimin profesional të gurëzave dhe fluorizimin. Problematikat që kemi vërejtur deri tani janë në shëndetin oral të nxënësve janë pranim e cipave dhe gurëzave deri tek pridhjet e gradës së tretë dhe të katërt që është më e larta.
Vëmë re që disa nxënës kanë higjienë të mirë orale, ndërsa disa të tjerë kanë mangësi të theksuara, sidomos djemtë që janë më neglizhentë në larjen e dhëmbëve. Ne mendohemi që t’i ndërgjegjësojmë nxënësit duke trajtuar tema të ndryshme në klasa për shëndetin e gojës”, shpjegon stomatologia Erjona Aranitasi.
Top Channel