Përfaqësuesja shqiptare u largua nga Islanda mëngjesin e së martës, një ditë pas barazimit ndaj vendasve me rezultatin 1-1 në ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve.
Nisja nga Rejkjaviku ishte rreth orës 10.00 me orën lokale. Lojtarët patën mundësi të argëtohen me njëri-tjetri për të lënë mënjanë zymtësinë e mbrëmjes së kaluar dhe për të kaluar distancën e gjatë prej 5 orësh e 30 minuta deri në mbërritjen në kryeqytet.
Skuadra do t’i drejtohet qytetit të Durrësit për të vazhduar grumbullimin dhe për të zhvilluar që pasditen e sotme seancën e radhës stërvitore ku grupit do t’i bashkohet Armando Broja që ka mbërritur në Shqipëri së bashku me Myrto Uzunin i cili qëndroi në fazë rikuperimi për dëmtimin e tij këto ditë, për të qenë të dy ndoshta të gatshëm për ndeshjen e radhës që duhet të luajmë me Izraelin më datë 10 qershor në “Air Albania”.
Top Channel