Bashkia e Tiranës certifikata për praktikantët e rinj, Veliaj: Një mundësi e mirë për të rinjtë, që të pasurojnë CV-të e tyre

07/06/2022 14:17

Një grup studentësh që përfunduan praktikat e punës në Bashkinë e Tiranës morën certifikatat e përfundimit të praktikës, kurse disa prej tyre i janë bashkuar institucioneve publike ku mund të punojnë. Certifikatat u shpërndanë nga kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Ministrja e Rinisë dhe Fëmijëve, Bora Muzhaqi.

“Disa prej jush i janë bashkuar Bashkisë së Tiranës, kurse disa të tjerë e kanë filluar CV-në e tyre me një certifikatë të tillë për të aplikuar për një punë, qoftë në institucionet e varësisë të bashkisë, qoftë në ato të qeverisë qendrore ose në privat. Por, përmes këtij programi jam i sigurt se keni kuptuar bazat e asaj që është lidershipi”, tha Veliaj në fjalën e tij.

Duke i cilësuar si “kolegët” e së nesërmes, kryebashkiaku tha se të rinjtë do të kenë gjithë mbështetjen e nevojshme për të ecur përpara. Ai i inkurajoi të rinjtë për të ndërmarrë nisma, ndërsa theksoi se destini i qytetit është rritja e tij e vazhdueshme, si një vend mundësish, që pret krahëhapur investimin jetësor të secilit prej qytetarëve të tij. “Mezi pres të dëgjoj historitë tuaja të mëdha, që ju do realizoni në këtë qytet, i cili për shumicën prej jush është shtëpia juaj e re. Nuk e di nëse do ishte një qytet tjetër kaq i hapur sa Tirana. Ky qytet, që kur u caktua se do të ishte kryeqyteti i Shqipërisë, vetëm është rritur dhe do të rritet, si një zemër e madhe dhe një derë e hapur për të gjithë”, u shpreh Veliaj.

Ministrja e Rinisë dhe Fëmijëve, Bora Muzhaqi, vuri theksin te rëndësia e të pasurit të një praktike të tillë, pasi siç theksoi ajo, brezi i saj dhe i kryebashkiakut nuk e kanë pasur të njëjtën mundësi.

 

 

“Për 6 vite, kemi ndërmarrë një program kombëtar të praktikave të punës, i cili ka qenë i fokusuar në mënyrë të drejtpërdrejtë te krijimi i një eksperience të të rinjve në sektorin publik dhe kjo është një mundësi që ndoshta, një pjesë e juaja, tashmë e merr si të mirëqenë. Por dua t’ju rikujtoj se brezi im, nuk e ka pasur këtë mundësi. Unë mendoj se çdo praktikë pune të jep një element shumë të rëndësishëm për të kuptuar se çfarë është ajo punë për të cilën përfshiheni gjatë praktikës, për të mësuar pak më shumë për veten tuaj, se cilat janë ato aftësi që ju duhen për jetën, por edhe mbi të gjitha për të punuar me drejtues të ndryshëm”, tha ministrja Muzhaqi.

Bashkia e Tiranës ofron mundësi për ndjekjen e praktikës për të gjithë të rinjtë dhe të rejat që ndjekin studimet e larta universitare brenda dhe jashtë vendit, apo janë në fillimet e karrierës së tyre. Çdo praktikant ka mundësi të aplikojë njohuritë teorike dhe të ndërmarrë detyra konkrete, duke u përfshirë në projekte lidhur me zhvillimin urban, turizmin, kulturën, sportin, mjedisin, shërbimet sociale, zhvillimi ekonomik vendor, menaxhimin e burimeve njerëzore, etj.

Top Channel