Një pasardhës i doktorit personal të diktatorit nazist Adolf Hitler ka publikuar disa letra personale ku zbulohet sesi Hitleri tmerrohej kur trajtohej për problemet me zërin.
Carl Otto von Eicken –specialisti gjerman i hundës, fytit e veshit – ka trajtuar Hitlerin disa herë gjatë 10 vjetëve të shërbimit prej vitit 1935.
Letrat janë zbuluar nga Robert Deopgen, stërnipi i von Eicken, i cili i gjeti teksa kërkonte në arkivat e familjes për një projekt arsimor.
Aty dëshmohet për tmerrin e Hitlerit nga sëmundjet e rënda. “Nëse diçka shkon keq, më duhet ta di absolutisht”, i tha Hitler doktorit pas konsultimit të tyre të parë në maj 1935, sipas dokumenteve.
Në to demonstrohet sesa rëndësi i kushtonte ai zërit të tij, të cilin e përdorte në fjalimet e propagandës për të shumëfishuar mbështetjen ndaj kauzës naziste.
Në një tjetër tregohet sesi von Eicken këshillonte Hitlerin të merrte pushime për të mbrojtur zërin e tij.
Në asnjë rast von Eicken nuk përmendte faktin se po kujdesej për një njeri besohet se është përgjegjës për miliona vdekje.
Kur ishte pyetur nga hetuesit rusë se përse nuk e kishte vrarë Hitlerin, von Eicken ishte përgjigjur: “Isha doktori i tij dhe jo vrasësi”.
Adolf Hitler besohet se ka vrarë veten në një bunker në Berlin në 1945 pasi ishte rrethuar nga Ushtria e Kuqe sovjetike.
Por shumë teori qarkullojnë që thonë se kryenazisti mund të jetë arratisur në Amerikën Latine siç ndodhi në shumë krerë të ushtrisë gjermane në fund të luftës.
Top Channel