Mbi 80 mijë tonë karburant të zhdoganuar në gusht, të ardhurat doganore arrijnë 22.8 miliardë lekë Të ardhurat nga biznesi për të vetëpunësuarit dhe individët tregtarë do të tatohen në masën 15%.
Top Channel ka siguruar draftin e ri me disa ndryshime dhe mëson se ky është një ndër propozimet që po shqyrtojnë Financat i cili nuk ishte përcaktuar në draftin fillestar të ligjit për të ardhurat personale që pritet të bëhet publik në ditët në vijim.
Profesionistët e lirë janë ne shënjestrën e ligjit të ri lista me të cilët do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, por ndryshimet duket se janë gjithëpërfshirëse pasi prekin shumë kategori tatimpaguesish. Një pjesë e tyre, pritet të nisin zbatimin nga 1 janari 2023.
Kështu, referuar draft-ligjit të ri individët që përfitojnë të ardhura nga punësimi deri në 2.4 milionë lekë në vit do të tatohen 13%, kurse për ata që tejkalojnë mbi 2.4 milionë lekë të ardhura norma e tatimit maksimale është 23%.
Ndryshime parashikohen edhe për deklaratën vjetore të të ardhurave personale. Nëse me ligjin aktual detyrimin për dorëzimin e saj e kanë të dypunësuarit dhe individët që përfitojnë mbi 2 milionë lekë në vit nga punësimi, me ligjin e ri pragu ulet në 1. 5 milionë lekë, duke bërë që kushdo që merr të ardhura bruto në këtë masë të bëjë dorëzimin e deklaratës vjetore.
Ndërhyrjet e ligjit të ri shkojnë më tej pasi parashikohet taksim i të ardhurave nga biznesi i çfarëdo lloji. Një regjim i veçantë taksimi do të ndiqet për bizneset bazuar në sektorin ku operojnë, ku nga të ardhurat e tyre do të zbriten shpenzimet e supozuara si një shumë e vetme.
Për veprimtaritë prodhuese do të zbriten 60% e të ardhurave, 90% për tregtinë me shumicë, 70% për tregtinë me pakicë, për baret dhe restorantet 60%, për artizanët 50% dhe për individët e punësuar do të zbriten 30% e të ardhurave, nga 35% që ishte në draftin fillestar.
Pas zbritjes së këtyre të ardhurave sipas fushave do të bëhet edhe tatimi për pjesën e mbetur të tyre si të ardhura personale.
Po ashtu, me sistemin e ri propozohet taksim për të ardhurat nga prodhimi bujqësor ose blegtoral, për tjetërsimin e pasurive të paluajtshme apo të aseteve të biznesit.
Gjithashtu, me ligjin e ri do të kenë detyrimin të paguajnë tatim 15% individët që marrin një dhuratë apo trashëgiminë, që mund të jetë pasuri e luajtshme ose e paluajtshme ose para të fituara.
Taksat për korporatat mbeten të pandryshuara me një normë tatimi 8% dividenti dhe 15% tatimi mbi fitimin, ndërsa bizneset e vogla me xhiro deri në 14 milionë lekë do të paguajnë zero tatim fitim deri më 2029.
Top Channel