Britania sfidon Putin: Kërcënoi Kievin me bombardime, Londra nis raketat

06/06/2022 09:04

Në një lëvizje që shihet si sfidë ndaj kërcënimeve të Vladimir Putin për rikthimin e bombardimeve ndaj Kievit nëse vazhdon furnizimi i Ukrainës me armë nga perëndimi, Mbretëria e Bashkuar njoftoi se do të nisë raketat e para me rreze të gjatë veprimi në vendin e gjendur që prej muajit shkurt nën agresionin rus.

Ministri britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, deklaroi se disa sisteme raketore M270 do të dërgohen në Ukrainë, në mënyrë që ky shtet të mbrohet nga Rusia.

“Teksa taktikat e Rusisë ndryshojnë, ashtu duhet të ndodhë dhe me mbështetjen tonë në Ukrainë. Këto sisteme raketore do t’i mundësojnë miqve tanë  ukrainas një vetëmbrojtje më të madhe kundër artilerisë së rëndë, të cilën forcat e Putinit e përdorin pa dallim nëpër qytete”, tha Ministri britanik i Mbrojtjes, Ben Wallce.

Qeveria britanike nuk ka konfirmuar sa armë të tilla do të dërgohen, por BBC, mësoi se fillimisht do të nisen tre sistem të tilla, ndërsa ushtria ukrainase do të trajnohet si të përdorë raketa-hedhëset në javët në vazhdim.

Vendimi është marrë në koordinim me Shtetet e Bashkuara, të cilat njoftuan javën e kaluar se do të dërgonin dhe ato sisteme të fuqishme raketore në Ukrainë, çka nxiti zemëratën e Moskës.

Sistemet raketore britanike mund të nisin 12 raketa tokë-tokë brenda një minuti dhe mund të sulmojnë shënjestra brenda 80 kilometrave me precizion të lartë. Ky sistem është i ngjashëm me atë që dërgon SHBA-ja në Ukrainë, HIMARS.

Top Channel