Në Tepelenë u mbajt koncerti Vjosa Forever eventi më madh sensibilizues për mbrojtjen e lumit Vjosa.
Organizuar si një event i thirrur nga Eco Albania ngjarja jo vetëm muzikore por edhe turistike ka mbledhur në Tepelenë qindra vetë për të dëgjuar performancat e artistëve Elida Duni, Shpat Kasapi, Vlashent Sata, Eda Zari, Eugent Bushpepa, Linda Rukaj apo aktori Florian Binaj dhe grupet polifonike lokale.
Deri tani për mbrojtjen e Vjosës janë grumbulluar rreth 54000 firma për ta shpallur atë bashkë me degët, Drino, Bënça dhe Shushica një park të madh kombëtar dhe për të mos lejuar ndërtimin e digave në rrjedhat e tyre ende të lira.
Me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit Vjosa është tashmë një zonë e mbrojtur por sipas ambjentalistëve statusi i një parku natyror nuk garanton mbrojtjen. Në ditët e Vjosës artistët, ambjentalistët, qytetarët dhe bizneset e turizmit kërkuan që Vjosa të shpallet park kombëtar.
Me statusin aktual Vjosa ende kërcënohet nga hidrocentralet e Kalivaçit dhe Poçemit por edhe prej kërkimeve për naftë.
Përgjatë eventit dhjetëra biznese lokale të turizmit shpalosën ofertën e tyre për këtë sezon ku dominuan ofertat e bareve, restoranteve, bujtinave, artizanëve, si dhe gjetjet origjinale për zbavitjet, aktivitetet në natyrë dhe jetën e mbrëmjes.
Vizitorët që mbërritën për koncertin kanë përgjatë gjithë fundjavës mundësi të shumta për të jetuar eksperienca dhe për të kaluar kohë përgjatë lumit të fundit të egër të Europës. Nëse lugina e Vjosës do të shpallej park kombëtar besohej se do të tërhiqte rreth 1,5 milionë vizitorë në vit me një potencial të ardhurash deri në 20 milionë Euro. Statusi do të zgjidhte edhe problemin e mbrotjes për rreth 1100 specie një pjesë e të cilave janë të rrezikuara me zhdukje.
Top Channel