Rikthehen bombat në Kiev/ Putin: Do hedhim të tjera nëse ju ndihmon Perëndimi me armë

05/06/2022 20:25

Pasi e kishte kursyer për disa javë, Rusia iu rikthye bombardimeve të kryeqytetit ukrainas, Kiev.

Ushtria ukrainase u shpreh se pesë raketa më rreze të gjatë u gjuajtën nga Deti Kaspik në drejtim të kryeqytetit, rreth orës 6 të mëngjesit.

Një prej raketave u shkatërrua, ndërsa të tjerat goditën pika kyçe infrastrukturore në veri të Kievit. Raketat ruse goditën shinat hekurudhore dhe ndërtesat e një kompanie riparimi makinerish, që supozohej të strehonte armë.

Deri më tani raportohet për vetëm një punonjës hekurudhe të plagosur, ndërsa supozimet për strehim armësh janë hedhur poshtë.

Mbrojtja ajrore e Ukrainës në përditësimin e situatës, u shpreh se rrëzoi edhe katër raketa ruse të drejtuara nga Mykolaiv në jug të Ukrainës.

Rusia u përpoq të rimarrë pozicionet e humbura në dy zona të Mykolaiv, por “pësoi humbje të mëdha dhe u tërhoq”, sipas informacionit nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës.

Zëdhënësi i ushtrisë ruse, Igor Konashenkov nga krahu tjetër bëri me dije se bombardimet në periferitë e Kievit shkatërruan tanqe të modelit T-72, furnizime nga vendet e Evropës Lindore, dhe mjete të tjera të blinduara që qëndronin në hangare.

Armët që vijnë nga vendet e huaja janë kthyer në shqetësim për Moskën, ndërsa presidenti Vladimir Putin, në një intervistë për televizionin “Rossiya-1”, kërcënoi hapur se Moska do të godasë objektiva të reja nëse Perëndimi furnizon Ukrainën me raketa me rreze të gjatë dhe tha se dërgesat e reja të armëve në Kiev synonin “zgjatjen e konfliktit”.

Komentet e tij vijnë vetëm disa ditë pasi SHBA njoftoi se do të furnizonte  Ukrainën me raketa që mund të godisnin objektivat nga një rreze prej 80 km, që do t’i jepte një avantazh në krahasim me raketat që posedon Rusia, rrezja e të cilave është disa kilometra më e ulët.

Top Channel