Shqipëria në volejboll për meshkuj fiton edhe përballjen e dytë ndaj Maqedonisë së Veriut në Grupin B të Silver European League, duke rritur ndjeshëm shanset për kualifikimin në “Final 4”.
Djemtë kuqezinj të drejtuar nga Jani Melka shfrytëzuan më së miri faktorin fushë, duke dominuar ndaj një rivali të cilin e kishte mposhtur në fakt me të njëjtin rezultat 3-1 edhe në takimin e zhvilluar në Maqedoninë e Veriut.
Këtë herë, në pallatin e sportit Farka Volej në kryeqytet, Shqipëria e fitoi setin e parë 25-20, por gaboi në të dytin, duke e humbur 20-25. Reagimi i kuqezinjve në setin e tretë ishte i duhuri, duke dominuar në çdo aspekt, për ta fituar me rezultatin e thellë 25-16.
Seti i katërt ishte më i luftuar, pas miqtë nga Maqedonia e Veriut bënë gjithçka për ta çuar sfidën në set final, por kuqezinjtë triumfuan 25-23 dhe me rezultat të përgjithshëm 3-1.
Tashmë Shqipëria renditet e dyta me 7 pikë, 3 më shumë se Maqedonia e Veriut dhe mund t’i mjaftojë fitorja në ndeshjen e radhës përballë Bosnjë Hercegovinës (në takimin e parë boshnjakët në fushën e tyre fituar 3-2) për të siguruar vendin e dytë. Në takimin e fundit Shqipëria do të përballet me Rumaninë.
Top Channel