Luftimet janë njëra anë e luftës në Ukrainë, dhe vazhdimi i jetës pas vdekjeve e rrënimit që konflikti lë pas, është një aspekt tjetër i tij. Shumë njerëz në qytetet përreth Kievit mbështeten në pjesën dërrmuese tek ndihmat për të jetuar, teksa përpjekjet e Rusisë për të marrë kryeqytetin ukrainas rezultuan vërtet me dështimin e saj, por lanë pas edhe një valë shkatërrimesh.
Në Bucha dhe Horenka, qindra banorë presin në radhë të gjata për të siguruar ndihmën humanitare.
“Jam këtu në radhë me të tjerët për ndihmat, që përfshijnë kryesisht ushqime. Shumë shtëpi të zonës janë djegur apo dëmtuar; njerëzit nuk kanë më asgjë, cdo gjë është shkatërruar.”- tha Arkadiy Maznychenko qytetare.
“Erdha këtu sepse më lajmëruan në telefon. Më dhanë dhe një pako nga këshilli. Brenda ka ushqime, vezë e qumësht. I falenderoj ata që po mendojnë për ne në këto momente të vështira.”- tha Hanna Viniychuk qytetare.
Më herët, në ditën e 100-të të pushtimit rus, presidenti ukrainas Volodymir Zelensky u betua për fitore, edhe pse trupat ruse e kanë ashpërsuar sulmin në rajonin e Donbasit. Mijëra vetë janë vrarë, miliona janë shpërngulur e fshatra e pjesë të tëra qytetesh janë kthyer në rrënoja që kur Vladimir Putin dha urdhrin e mësymjes në 24 shkurt.
Avancimi rus u ngadalësua ndjeshëm prej rezistencës së ashpër të ukrainasve, që i detyruan trupat e Moskës të zbrapsen nga zonat përreth kryeqytetit. “Fitorja do të jetë e jona”, tha Zelensky, në një mesazh video të ngjashëm me atë që postoi në fillimin e luftës përpara ndërtesave qeveritare në Kiev.
Top Channel