Turqia shpalos planin për zhbllokimin e grurit, mësohen kushtet e Rusisë

04/06/2022 13:45

Sytë do të jenë sërish te Turqia javën e ardhshme, kur vendin ta vizitojë ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, ndërsa shumë shpresa janë varur tek avancimi i një plani për të zhbllokuar eksportet e grurit nga portet e Detit të Zi të Ukrainës.

Turqia kërkon të zgjidhë ngërçin që rrezikon një krizë botërore ushqimit dhe ka zhvilluar bisedime si me Moskën, ashtu edhe me Kievin e zyrtarë të OKB-së, më qëllimin të ndërmjetësojë një marrëveshje për hapjen e një korridori përmes Bosforit për eksportet e produkteve bujqësore nga Ukraina. Ankaraja pret përparim për këtë çështje ditët në vijim,  dhe si Moska ashtu edhe Kievi duan një zgjidhje pavarësisht kushteve të tyre, tha një zyrtar i lartë turk për Reuters.

Vladimir Putin tha në një intervistë për kanalin Rossiya-1 se portet e Berdyansk e Mariupol, janë tashmë nën kontrollin rus, e sipas tij, që të garantohet një eksport pa problem i grurit ukrainas prej andej, duhet pastruar një herë zona nga minat detare. “Trupat ukrainase kishin vendosur aty tre rreshta minash. Po punojmë për të krijuar logjistikën e nevojshme”, u shpreh ai, duke insistuar qe gruri te kaloje vetëm nga portet e kontrolluara prej Moskës. Që kur Rusia nisi pushtimin e vendit fqinj në 24 shkurt, portet ukrainase në Detin e Zi janë bllokuar e 20 milionë tonë drithë presin në depo. Konflikti ka nxitur një krizë ushqimore globale.

Për këtë, Putinit iu ankua dhe kreu i Bashkimit Afrikan, Macky Sall, i cili i tha shefit të Kremlinit gjatë bisedimeve të tyre në Sochi se vendet afrikane po kthehen në viktima të pafajshme të luftës në Ukrainë, dhe Rusia duhet të ndihmojë në lehtësimin e vuajtjeve të tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA