Hera e fundit kur Carlos Tevez zbriste në fushë ishte qershorin e kaluar me fanellën e Boca Juniors. Në atë kohë argjentinasi deklaroi se mund të niste një aventurë të re, megjithatë një vit më pas teksa është në moshën 38-vjeçare, Tevez ka njoftuar zyrtarisht tërheqjen nga futbolli. Ish-sulmuesi theksoi se gjatë kësaj kohe ka pasur oferta nga kampionati i MLS në Amerikë, por shtoi se në vendimin për t’u tërhequr ndikoi edhe humbja e babait.
“Mund ta konfirmoj, unë jam tërhequr nga futbolli. Kam pasur oferta, sidomos nga Amerika, por mendoj se kam dhënë gjithçka. Të luaja vitin e kaluar ishte e vështirë për mua por për fat të mirë isha pranë babait tim. Tashmë, ai nuk është më dhe në vendimin për t’u tërhequr ndikon edhe ky fakt, pasi babai ishte fansi im numër një. Së fundmi, kam shijuar ushqimet por edhe pijet, më së shumti verë dhe fërnet, tani jam i lurë nga angazhimet sportive dhe kam liri përsa i takon dietës ushqimore.
Vazhdoj të kujdesem për veten por kam shtuar tre apo katër kile, zgjohem vonë dhe tashmë nuk e imagjinoj më si është të shkosh çdo mëngjes në stërvitje. Unë shkoja gjithnjë në orën 6 të mëngjesit dhe largohesha i fundit nga qendra stërvitore, por tani nuk kam më fuqi për të ndjekur një rutinë të tillë”, u shpreh Tevez.
Gjatë karrierës së tij, Carlos Teves ka fituar tre herë Premier League, një herë Champions League, dy herë Serie A, ndërsa me fanellën e Argjentinës ka koleksionuar 73 paraqitje duke realizuar edhe 13 gola./supersport
Top Channel