Ndërsa në Tiranë, pritet firma e tij për t’i hapur rrugë kandidimit të Bajram Begajt në postin e Presidentit të ri të Republikës, Ilir Meta kreu aktual i shtetit, ndodhet në Stamboll, i pranishëm në Forumin Ekonomik të Maltepes “Turqia dhe Bashkimi Europian në Erën e Re”: Demokracia fillon me zgjedhje të lira dhe të ndershme, me institucione llogaridhënëse, me media të lira.
Në fjalën e tij drejtuar kryebashkiakut të Maltepes, Ali Kiliç, Kryetarit të Partisë Popullore Republikane turke, Kemal Kılıçdaroğlu si dhe pjesëmarrësve të nderuar, Presidenti Meta u shpreh se “Turqia është një aleate e rëndësishme strategjike e NATO-s, një partner shumë i vlerësuar rajonal dhe dypalësh, e cila është bërë gjithnjë e më shumë një faktor kyç për sigurinë evropiane dhe më gjerë. Turqia ka qenë gjithashtu një partner shumë i rëndësishëm për stabilitetin dhe sigurinë në rajonin tonë, në Ballkanin Perëndimor, përfshirë me qëndrimet e saj të qarta ndaj shtetësisë së Kosovës dhe angazhimin e saj konstruktiv për funksionimin shtetëror të Bosnjës dhe Hercegovinës”.
Meta vuri theksin te procesi i integrimit në Bashkimin Europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Shqipërisë në veçanti.
“Kur Presidenti francez Emmanuel Macron prezantoi idenë e një Komuniteti Politik Europian më 9 maj 2022, ai po i përgjigjej aplikimeve të përshpejtuara të anëtarësimit të paraqitura nga Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia.
Më duhet të pranoj se vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, ishin mjaft të hutuara nga kjo nismë, megjithëse Presidenti Macron do të pohonte gjithashtu se për ne “rruga tashmë është e përcaktuar”, siç referohet në vendimin e Këshillit të BE-së së 2003.
E thënë thjesht, dilema qëndron mbi takimin e Këshillit Europian të qershorit, që do të duhet të përcaktojë se cila do të jetë e ardhmja për tre vendet e reja kandidate dhe çfarë do të ndodhë me hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Ne e kuptojmë se anëtarësimi europian është një proces i gjatë që kërkon reforma vendimtare dhe të pakthyeshme. Pra, po, detyrat e shtëpisë duhet të bëhen. Por është jashtëzakonisht e rëndësishme të theksohet se edhe pse ende larg progresit të dëshiruar, Ballkani Perëndimor nuk duhet të trajtohet si një rast i dështuar. Të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor të marra së bashku nuk mund të barazojnë as popullsinë e Rumanisë”.
Presidenti listoi tri prioritete, që sipas tij, BE-ja duhet t’i ketë për të forcuar demokracinë dhe shtetin e së drejtës.
Demokracia fillon me zgjedhje të lira dhe të ndershme, me institucione llogaridhënëse, me media të lira. Sundimi i ligjit kërkon zbatimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, gjyqësorin e pavarur dhe jo të kapur. Askush nuk do ta bëjë këtë për ne, këtë duhet ta bëjmë vetë.
Të kontribuojmë në forcimin e Aleancës Euro-Atlantike dhe marrëdhënieve me partnerët strategjikë. Përafrim i plotë i politikës tonë të jashtme me Bashkimin Europian. Nxitja e bashkëpunimit gjithëpërfshirës rajonal duke përdorur forume dhe mekanizmat ekzistues që mund të japin rezultate konkrete.
Refuzimi kategorik dhe dekurajimi me vendosmëri i mbështetjes ndaj çdo projekti që synon të ndryshojë perspektivën europiane të rajonit. Duhet bërë kujdes nga përpjekjet për të nxitur tensionet përmes retorikës toksike dhe veprimeve provokuese, siç e kemi parë tashmë gjatë muajve të fundit.
Top Channel