Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, pritet të qëndrojë për një vizitë në Serbi javën që vjen, mes debatesh për refuzimin e Beogradit që t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës, për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

Ministria e Jashtme ruse tha të premten se ministri Lavrov do të vizitojë Serbinë më 6 dhe 7 qershor për t’u takuar me presidentin e saj, Aleksandar Vuçiç dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Njoftimi u bë një ditë pasi presidenti serb tha se “po ndërlikohet situata rreth vizitës së ministrit Lavrov në çdo kuptim… Çështja është si do të vijë ai…dhe çështje tjera”. Por, presidenti serb nuk deshi të flasë më hollësisht rreth kësaj çështjeje.

Vëzhguesit thonë se ministri Lavrov nuk mund të udhëtojë me avion rus meqë qiejt e vendeve përreth Serbisë janë të mbyllur për fluturime nga Rusia. Kësisoj atij do të t’i mbetej mundësia e udhëtimit me avion komercial të Serbisë që është vendi i vetëm që lejon fluturimet Beograd – Moskë.

Analistët në Serbi thonë se vizita e ministrit rus në këtë periudhë do të ishte e dëmshme për Beogradin i cili ndodhet nën trysninë perëndimore për t’iu bashkuar sanksioneve kundër Moskës.

Tri ditë pas vizitës së paralajmëruar të ministrit rus, është planifikuar një vizitë e kancelarit gjerman, Olaf Scholtz në Beograd. Vëzhguesit në Serbi thanë se vizta e ministrit Lavrov do të mund të çonte në anulimin e vizitës së kancelarit gjerman. Madje edhe presidenti serb i pyetur rreth kësaj mundësie tha se “do të ishte një lajm shumë i keq”.

Paralajmërimi i vizitës së ministrit Lavrov në Beograd pason dakordimin e presidentit presidenti serb, Aleksandar Vuçiç me presidentin rus Vladimir Putin, për një kontratë të re trevjeçare për furnizimin me gaz nga Rusia. Presidenti serb thotë se synon anëtarësimin e vendit të tij në Bashkimin Evropian, por me vite ka punuar për forcimin e lidhjeve me Rusinë.

Serbia e cila ka varësi të plotë nga gazi rus, ka ritheksuar shpesh se mbështetja e saj për Rusinë është e rëndësishme për shkak të kundërshtimit të saj ndaj pavarësisë së Kosovës.

Top Channel