Kopshti i ri Zoologjik i Tiranës hapi dyert sot për të gjithë fëmijët që prej kohësh prisnin për të parë kafshët.

Luani dhe tigri zgjuan më tepër kuriozitet për tu vizituar, jo vetëm nga të vegjlit por dhe të rriturit.

Hapësira prej 5.5 hektarësh e transformuar tërësisht në një ambient sa më të përshtatshëm për kafshët por dhe argëtues e informues për fëmijët, mori notën 10 nga vizitorët e vegjël.

“Shumë bukur, u kënaqëm. Ne i vendosëm notën 10. Më shumë më pëlqeu tigri me luanin. Vizituam edhe kuajt, lepujt etj”.

Ariu i murrmë është pjesë e kopshtit zoologjik ashtu siç janë edhe kuajt, lamat, strucët, ujku apo dhelpra. Por shumë shpejt do tu bashkohen edhe kafshë të tjera.

“Ka 30 specie, afro 160 kafshë të egra dhe të buta, shpendë. Ne kemi një çift luanësh dhe një tigrash, ariu i murrme, te gjitha kafshët e fermës, janë lamat dhe strucët, do na vijnë lëmurët një tipologji majmunesh, presin edhe zebrën”.

Zona e dinosaurëve është një tjetër hapësirë brenda kopshtit zoologjik ku fëmijët mund të të argëtohen, krahas këndeve të lojërave.

Në inaugurimin e kopshtit zoologjik, Kryeministri Rama dhe kryebashkiaku Veliaj thanë se ky park i është kthyer fëmijëve jo vetëm si hapësirë argëtuese por edhe si një mjedis edukativ.

“U desh që të bëhej një punë e madhe, shumë e ngatërruar, me plot gjëra që dalin përpara papritur, edhe kur s’kanë lidhje, dhe ja ku jemi sot në këtë Zoo Park të Tiranës, një hapësirë fantastike, një mjedis i rilindur tërësisht, i pakrahasueshëm në asgjë më çfarë ishte më parë, edhe në ditët e veta më të mira, e jo më pastaj në periudhën e ditëve të zymta”, tha Rama.

“Sot kemi sjellë një filozofi të re, kemi ikur nga ai burgu i dikurshëm, për të cilin dëgjoja kryeministrin kur thoshte se “luani hante papate”. Sot, sidomos kafshët e egra, kanë qindra metra katrorë ku mund të lëvizin, por kemi edhe tre klasa informative për fëmijët”, tha Veliaj.

Gjatë verës oraret për të vizituar kopshtin zoologjik janë nga ora 9:00 deri në 20:00 ndërsa çmimi i biletës për të rriturit kushton 300 lekë ndërsa për fëmijët 200 lekë. Po ashtu pjesë e kopshtit është edhe një parkim nëntokësor me 90 vende ku pas mbylljes së kopshtit do të përdoret edhe nga banorët e zonës.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA