Gjermania nis në Ballkan “ofensivën” diplomatike, kancelari Scholz zbarkon në rajon!

04/06/2022 13:40

Këtë javë që vjen, kancelari gjerman Olaf Scholz zhvillon vizitën e tij të parë në Ballkan që prej marrjes së postit.

Më 10 qershor, shefi i ekzekutivit gjerman do të jetë në Kosovë, ku, veç liderëve vendas, do të takohet edhe me përfaqësues të trupave gjermane të KFOR-it. Prej andej, Scholz do të vijojë udhëtimin në Serbi. Po atë ditë në Selanik ai do të zhvillojë një takim me krerët e vendeve të Procesit të Bashkëpunimit në Europën Juglindore (SEECP.), një forum politik ky, i iniciuar në Sofje në vitin 1996. Ai konsiderohet si ombrella politike e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, që është krijuar në vitin 2008, si pasardhës i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore. Kryesinë e SEECP aktualisht e ka Greqia, mbi bazën e parimit të rotacionit.

Të nesërmen, më 11 qershor, Scholz do të vijojë udhëtimin në Maqedoninë e Veriut dhe Bullgari. “Fokusi i udhëtimit do të jetë perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe kontributi i Gjermanisë në përmirësimin e bashkëpunimit rajonal dhe tejkalimin e bllokadave dypalëshe”, tha zëdhënësi i qeverisë gjermane, Ëolfgang Büchner. Një nga sfidat e Gjermanisë në rajon është normalizimi i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, proces për të cilin Scholz u angazhua në mes të majit kur pat ftuar dy liderët në një takim me negociatorin Lajçak. Itinerari i kancelarit Scholz tregon njëkohësisht se cilat janë tri sfidat aktuale të politikës së jashtme gjermane në rajonin e Ballkanit, të cilin koalicioni aktual e ka shpallur prioritet: mungesa e përparimit në procesin e dialogut Serbi-Kosovë, ngecja e Procesit të Berlinit dhe bllokimi i Bullgarisë për çeljen e negociatave më Maqedoninë e Veriut, e rrjedhimisht edhe Shqipërinë.

Politikani socialdemokrat, i cili në kabinetin e mëparshëm të demokristianes Angela Merkel ka qenë zëvendëskryeministër dhe ministër i financave, ka deklaruar në thuajse çdo fjalim të tij mbi politikën e jashtme se dëshiron të dërgojë një mesazh të qartë për perspektivën evropiane të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Këtë ai e përsëriti edhe në një takim që pati të enjten  me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenković, “Është shumë e rëndësishme që tani të vihet në zbatim  premtimi i kahershëm se shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë një perspektivë evropiane dhe se dikur do t’i bashkohen Bashkimit Evropian”, tha Scholz.

 

 

 

Top Channel