Kopshti zoologjik i Tiranës hapi dyert këtë të shtunë për vizitorët.

Kryeministri Edi Rama postoi në rrjetet sociale foto të kafshëve që fëmijët dhe të rriturit mund të shohin në Tirana Zoo Park, si tigri, luani, drerët, dhelpra, kuajt apo lloje të ndryshme shpendësh.

“Tirana Zoo Park, që hap dyert sot, i rilindur si një nga hapësirat më moderne në rajon, për të njohur nga afër botën e kafshëve, por edhe si një hapësirë e re rekreative për të vegjël e të rritur”, shkruan kryeministri.

Fëmijët u njohën me mjediset e transformuara, kafshët e kopshtit, dhe klasat informative, ku mund të mësojnë gjëra të reja për natyrën. Në hapjen e Kopshtit Zoologjik, Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj thanë se ky park i është kthyer qytetarëve, jo vetëm si një hapësirë argëtimi, por edhe si një mjedis edukativ.

Kreu i Bashkisë nënvizoi se falë investimeve për transformimin e Parkut të Liqenit dhe të Kopshtit Zoologjik, edhe pronës së komunitetit përreth i është rritur vlera. Veliaj shtoi se komunitetit i janë shtuar edhe 80-90 vende të reja parkimi me parkingun nëntokësor të kopshtit. Nga ana tjetër, Veliaj falenderoi kryeministrin Rama për mbështetjen në realizimin projekteve.

Kryeministri Rama u shpreh se Kopshti Zoologjik është rilindur tërësisht, në një hapësirë të pakrahasueshme me çfarë ishte më parë. Ai tha se kjo është arritur falë një pune të madhe të një zinxhiri njerëzish që, pas shumë pengesash, ia dolën të transformonin sot Zoo Park Tirana.

Kopshti Zoologjik i Tiranës iu nënshtrua transformimit të plotë të tij. Nga një hapësirë e harruar, Bashkia e Tiranës e rikonceptoi atë, duke iu përshtatur kërkesave të ndryshme të vizitorëve që e frekuentojnë dhe kafshëve që jetojnë aty. Kopshti ofron hapësira për shërbime dhe mjedise të nevojshme për vizitorët, ambiente rekreative ku mbizotërojnë hapësirat e gjelbra, si dhe këndet e lojërave për fëmijë, por nuk mungojnë as mjediset edukative për studentët dhe nxënësit që studiojnë veçanërisht botën e kafshëve.

FOTO GALERI
5/18

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA